Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në shënimin e pesë vjetorit të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.
U.D. Presidentja Haxhiu tha se Agjencia për Informim dhe Privatësi, një institucion i ri në moshë, por me një mandat që prek drejtpërdrejt themelet e një shteti demokratik: të drejtën e qytetarit për të ditur dhe të drejtën e tij për t’u mbrojtur.
“E drejta për informim e hap institucionin ndaj qytetarit. E drejta për privatësi e mbron qytetarin nga përdorimi i pakujdesshëm apo i panevojshëm i të dhënave të tij. Në thelb, të dyja kërkojnë pushtet më të përgjegjshëm dhe qytetar më të mbrojtur. Qytetari ka të drejtë të dijë si merren vendimet, si shpenzohet paraja publike, si arsyetohet veprimi institucional dhe si ushtrohet pushteti në emër të tij. Ndërkaq, të dhënat personale lidhen me pjesën më private të jetës së njeriut: emrin, adresën, gjendjen shëndetësore, familjen, punën, lëvizjet, gjendjen sociale dhe historinë personale”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas saj, një shtet demokratik e trajton transparencën dhe privatësinë si dy garanci të domosdoshme, ngase njëra e bën pushtetin të dukshëm, tjetra e mbron qytetarin nga ndërhyrja e panevojshme në jetën e tij.
“Gjatë këtyre pesë viteve, Agjencia ka konsoliduar funksionimin e saj si autoritet i pavarur mbikëqyrës. Ka krijuar mekanizma për trajtimin e ankesave të qytetarëve dhe për mbikëqyrjen e zbatimit të ligjit. Vetëm gjatë vitit 2025, Agjencia ka pranuar mbi një mijë ankesa, ka kryer qindra inspektime dhe ka trajnuar qindra pjesëmarrës nga sektorë të ndryshëm. Këta numra tregojnë se qytetarët po i përdorin të drejtat e tyre dhe se institucionet po përballen gjithnjë e më shumë me kërkesën për transparencë dhe përgjegjësi. Kjo është arritje për Agjencinë, por edhe për Republikën”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo tha se privatësia e qytetarit sot kërkon vigjilencë të përditshme, ngase sipas saj, ajo preket nga mënyra si institucionet mbledhin dokumente, si ruhen të dhënat në sisteme, si qarkullojnë formularët, kush ka qasje në databaza, sa gjatë mbahen informacionet dhe si përdoren kamerat, platformat digjitale e teknologjitë e reja.
“Çdo institucion që kërkon një të dhënë personale duhet ta ketë të qartë arsyen, bazën ligjore dhe përgjegjësinë për ta mbrojtur atë. Shërbimet publike dhe proceset administrative në Kosovë po digjitalizohen gjithnjë e më shumë. Ky zhvillim kërkon rregulla të qarta, institucione të përgatitura dhe kulturë të lartë përgjegjësie”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas saj, me zhvillimin e teknologjive të reja dhe inteligjencës artificiale, roli i Agjencisë bëhet edhe më i rëndësishëm, duke shtuar tutje se Kosova duhet të ecë me standardet evropiane, duke e mbajtur mbrojtjen e të drejtave themelore në qendër të këtij zhvillimi.
“Po ashtu, brenda një periudhe të shkurtër, Agjencia ka arritur ta vendosë Kosovën në rrjete të rëndësishme ndërkombëtare të privatësisë dhe transparencës. Pjesëmarrja si vëzhguese në Bordin Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave, si dhe përfaqësimi në Asamblenë Globale të Privatësisë, në Asociacionin Frankofon të Autoriteteve për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe në Konferencën Ndërkombëtare të Komisionerëve për Informim, janë hapa të rëndësishëm për praninë profesionale dhe institucionale të Kosovës në këtë fushë.Në këtë drejtim, dua ta vlerësoj mbështetjen e dhënë nga z. Zdravko Vukić, në cilësinë e tij si Zëvendëskryesues i Bordit Evropian për Mbrojtjen e të Dhënave, për avancimin e kësaj pranie dhe për bashkëpunimin profesional në këtë proces”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.
Sipas U.D. Presidentes Haxhiu këto arritje tregojnë se një institucion i ri, kur ka mandat të qartë dhe punë serioze, mund të bëhet zë i besueshëm edhe jashtë vendit, duke shtuar tutje se për Kosovën, kjo ka rëndësi të veçantë.
Ajo tha se rruga jonë evropiane matet edhe me institucione që i përvetësojnë standardet evropiane dhe i zbatojnë ato në jetën e përditshme të qytetarëve.
Derisa ka uruar Agjencinë për Informim dhe Privatësi, U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se le të jetë ky përvjetor një shtysë për më shumë transparencë në institucionet publike, më shumë kujdes ndaj të dhënave personale dhe më shumë përgjegjësi në çdo hap të digjitalizimit të shtetit.
“Qytetari i informuar dhe qytetari i mbrojtur janë themel i një Republike demokratike”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.



