...

U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në hapjen e Panairit të Librit: Një Republikë që kujdeset për leximin, kujdeset për lirinë e qytetarit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në hapjen e Panairit të Librit.

U.D. Presidentja Haxhiu, në një fjalë para të pranishmëve tha se Panairi i Librit është ndër ngjarjet e rralla kur libri del në qendër të vëmendjes publike.

“Për disa ditë, flitet për botime, për autorë, lexues, për përkthime, për punën e botuesve dhe për njerëzit që ende e kultivojnë një nga punët më të vështira e më të domosdoshme të kulturës sonë”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo, më tej ka falënderuar të gjithë ata që e bëjnë të mundur këtë panair dhe të gjithë ata që punojnë me librin gjatë gjithë vitit, shkrimtarët, botuesit, përkthyesit, redaktorët, bibliotekistët, mësuesit dhe natyrisht lexuesit.

Sipas, U.D. Presidentes Haxhiu kjo punë ka rëndësi të veçantë, sepse një vend që e vendos librin në hapësirën publike, qoftë edhe për disa ditë, tregon se ende e njeh peshën e fjalës së shkruar.

“Por mirënjohja për këtë punë të madhe nuk na liron nga përgjegjësia për ta parë gjendjen me kujdes. Duhet të flasim edhe për vendin që libri nuk po e zë në jetën tonë të përditshme”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu tha se leximi është një nga mënyrat e para si njeriu mëson të kuptojë botën përtej vetes.

“Një fëmijë që lexon me vëmendje, mëson ta ndjekë mendimin deri në fund dhe ta dallojë idenë kryesore. Mëson të bëjë pyetje, të krahasojë, të mos ngutet në përfundim. Mëson se jo çdo fjali që tingëllon e sigurt është e vërtetë. Një qytetar që lexon, e kupton më mirë lajmin, e kupton më mirë ligjin, premtimin politik, kontratën, historinë, dokumentin zyrtar dhe të drejtën e vet. Ai apo ajo ka më shumë mundësi të mendojë me kokën e vet, të kuptojë atë që i thuhet dhe të mos mbetet i varur nga të tjerët”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, edhe në Kosovë, sikurse në shumë vende të botës, leximi po përballet me rënie të vëmendjes, me ndryshim të shprehive, me trysninë e ekranit dhe me një ritëm jete që lë gjithnjë e më pak hapësirë për librin.

“Por fakti që kjo po ndodh edhe diku tjetër nuk e bën çështjen më pak të rëndësishme për ne. Përkundrazi, na tregon se duhet të veprojmë me kohë por edhe me maturi. Jo duke fajësuar njëri-tjetrin, por duke e pranuar se leximi kërkon përgjegjësi të përbashkët por po ashtu edhe punë të koordinuar. Këtë e ndjejmë edhe ne si prindër, kur e shohim se sa e vështirë është ta krijojmë një orë të qetë për fëmijën, larg ekranit dhe shpërqendrimit. Këtë e ndjejnë mësuesit, kur punojnë çdo ditë me nxënës që duhet të mësojnë jo vetëm të lexojnë, por edhe të kuptojnë atë që e lexojnë. Këtë e ndjejnë botuesit, përkthyesit por edhe autorët, të cilët punojnë në një treg të vogël, por me nevoja të mëdha kulturore”, ka pohuar U.D. Presidentja Haxhiu.

Prandaj, shtoi ajo, na duhet përgjegjësi e përbashkët dhe e vazhdueshme, sepse leximi nuk ndërtohet në një vend të vetëm.

“Ai fillon në familje, por vazhdon në shkollë, forcohet në bibliotekë, mbështetet nga komuna, nga institucionet publike, nga botuesit, nga mediat dhe nga vetë mënyra si ne e organizojmë jetën kulturore të vendit. Nëse duam që libri të jetë më i pranishëm në jetën e fëmijëve dhe të rinjve tanë, ai duhet t’i takojë ata më herët. Fëmija nuk bëhet lexues vetëm kur i jipet një listë librash për pushime. Ai bëhet lexues kur libri nuk i paraqitet si barrë, por si pjesë e përditshmërisë”, u shpreh U.D. Presidentja Haxhiu.

Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, në veçanti, duhet t’i kushtojmë më shumë vëmendje librit për fëmijë dhe të rinj, aty, ku sipas saj fillon marrëdhënia e parë me leximin.

“Fëmija aty e kupton nëse libri është diçka që i flet, apo diçka që i kërkohet vetëm si detyrë. Na duhen libra të shkruar mirë, të përkthyer mirë, të redaktuar mirë dhe të afërt me moshën, me gjuhën, me botën e lexuesit të ri. Në këtë përpjekje, secili ka pjesën e vet. Prindi, mësuesi, biblioteka, komuna, botuesi, media, organizatat kulturore dhe vetë shteti jonë. Kur këto pjesë lidhen me njëra-tjetrën, libri dhe leximi bëhen më të pranishëm në jetën e përditshme”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo më tej tha se Panairi e bën librin të dukshëm për disa ditë, por detyra jonë është ta bëjmë leximin të pranishëm edhe kur nuk ka panaire.

“Nuk po kërkojmë që çdo njeri të lexojë librat e njëjtë. Nuk po kërkojmë që të gjithë të bëhen studiues, shkrimtarë apo edhe kritikë. Po kërkojmë diçka më themelore: që çdo fëmijë në Kosovë ta ketë mundësinë të bëhet lexues i mirë. Që çdo nxënës ta kuptojë tekstin. Që çdo qytetar të ketë mundësi ta kuptojë më mirë botën ku jeton dhe të mos mbetet i varur vetëm nga ajo që i thonë të tjerët”, theksoi U.D. Presidentja Haxhiu.

Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, një Republikë që kujdeset për leximin, kujdeset për lirinë e qytetarit.

“Prandaj, hapja e këtij panairi nuk duhet të mbetet vetëm te urimi për botuesit dhe lexuesit. Le të jetë edhe thirrje për punë të përbashkët, të qartë por edhe të vazhdueshme”, tha U.D. Presidentja Haxhiu.

This site is registered on wpml.org as a development site.