...

U.D. Presidentja Haxhiu mori pjesë në pritjen e organizuar nga Ambasada e Italisë në Kosovë, me rastin e Ditës së Republikës së Italisë

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë sot në pritjen e organizuar nga Ambasada e Italisë në Kosovë, me rastin e Ditës së Republikës së Italisë.

U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se për Italinë, 2 qershori është ditë e kujtesës së demokracisë.

“Ajo shënon momentin kur qytetarët, pas luftës dhe diktaturës, zgjodhën Republikën dhe hapën një kapitull të ri të lirisë dhe përgjegjësisë evropiane. Data të tilla kanë rëndësi sepse tregojnë historinë e përcaktimit të një populli. Ato na kujtojnë se shtetet demokratike lindin nga guximi”, ka thënë U.D. Presidentja Haxhiu.

Ajo tutje ka shtuar se Adriatiku i ka lidhur popujt tanë për shekuj me radhë.

“Ai ka bartur familje, fjalë, këngë, libra dhe kujtime. Në komunitetet arbëreshe dhe në figura siç ishte Jeronim de Rada i njohur në italisht si Girolamo De Rada, dhe në Papa Klementin XI, Giovanni Francesco Albani, shohim se sa thellë historitë shqiptare dhe italiane kanë prekur njëra tjetrën”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

U.D. Presidentja Haxhiu ka thënë se në historinë tonë më të fundit, Kosova e kujton Italinë si një mike dhe partnere në momente të vështira dhe vendimtare, duke shtuar tutje se Italia e njohu herët pavarësinë e Kosovës, mbështeti shtet-ndërtimin tonë dhe vazhdon të kontribuojë për paqe, siguri dhe stabilitet.

Në emër të institucioneve dhe popullit të Republikës së Kosovës, U.D. Presidentja Haxhiu ka  uruar popullin e Italisë.

“Uroj që miqësia midis Kosovës dhe Italisë të vazhdojë të rritet brenda shtëpisë sonë të përbashkët evropiane”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.

This site is registered on wpml.org as a development site.