Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, në prag të ndeshjes ndërmjet Kosovës dhe Bullgarisë, ka vizituar kampin e Kombëtares së Kosovës në konkurrencën e vajzave.
Me këtë rast, U.D. Presidentja Haxhiu tha se po më vjen shumë mirë që jemi bashkë para një sfide jo të lehtë, por jam shumë e bindur që do t’ia dilni me sukses, sikurse ia keni dalë në vazhdimësi.
Ajo më tej ka thënë se e di që sporti, futbolli, nuk është i lehtë dhe kërkon shumë angazhim, por më lejoni që t’ju uroj për fitoret e deritanishme dhe për performancën e hatashme që keni treguar në kualifikimet për botërorin 2027.
U.D. Presidentja Haxhiu vlerësoi ecurinë shumë të mirë të Kombëtares në këto kualifikime, duke theksuar se vendi i parë në grup me pikë të plota e afron ekipin drejt objektivave të radhës dhe e bën krenare gjithë Kosovën. Ajo çmoi gjithashtu karakterin, vendosmërinë dhe reagimin e treguar në fitoret ndaj Gjibraltarit, Kroacisë dhe Bullgarisë, duke shtuar se pikërisht këto paraqitje e shtynë që t’i vizitojë dhe t’i takojë vajzat para ndeshjes së radhës.
Ajo më tej ka thënë se ju bashkë me trajnerin dhe të gjithë ekipin jeni duke e mbajtur lart frymën e shtetit tonë.
“Ju, së bashku me trajnerin tuaj, jeni duke e lartësuar emrin e shtetit tonë. Jeni frymëzim për shumë vajza në Kosovë dhe përtej, pasi sukseset tuaja tashmë janë vërejtur edhe ndërkombëtarisht. Ju dëshiroj shumë fat dhe sukses në ndeshjen e sotme. Do të vazhdoj t’ju mbështes në vazhdimësi, sepse suksesi juaj është edhe sukses i shtetit”, theksoi ajo.


