...

Fjalimi i plotë i Presidentes Osmani në ceremoninë e ndarjes së dekoratave presidenciale

Të nderuar të pranishëm,

Të nderuar veprimtarë,

Familjarë të heronjve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,

Shoqata të dala nga lufta,

Të nderuar kryetarë komunash, deputetë, përfaqësues të institucioneve, personalitete që keni kontribuuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës,

Të nderuar të pranishëm,

Atdheu nuk është vetëm vendi ku lindim, por është thirrje që na ndjek përgjatë gjithë jetës, një përgjegjësi që kërkon përkushtim, sakrificë dhe gatishmëri për të dhënë më të mirën nga vetja jonë çdo ditë.

Republika e Kosovës është rrjedhë e pandërprerë brezash, e atyre që dhanë gjithçka e pa kursim dhe atyre, që edhe sot mbajnë mbi supe detyrën për ta çuar vendin tonë përpara, për ta mbajtur gjallë dhe për ta bërë edhe më të fortë.

Në zemër të kësaj përpjekjeje qëndron vetë liria jonë, jo vetëm si e drejtë e fituar, por si një ndjenjë e thellë, imanente për qenien njerëzore.

Këtu merr kuptim shteti, si shprehja më e lartë e vullnetit tonë të përbashkët për të jetuar të lirë, jo thjesht si institucion, por si përgjegjësi e përbashkët për të jetuar të lirë. Jo thjesht si institucion pra, por edhe si angazhim për ta forcuar, për ta bërë më të drejtë, më të qëndrueshëm dhe më të denjë për sakrificën mbi të cilën është ndërtuar.

Muaji mars, në të cilin po mbahet kjo ceremoni e ndarjes së dekoratave, është një muaj i rëndë në historinë tonë. Është një muaj kujtese dhe reflektimi, ku pothuajse çdo ditë na rikthen në ngjarje të dhimbshme, në masakrat e kryera nga regjimi gjenocidal i Serbisë ndaj popullit tonë. Por njëkohësisht, është edhe një muaj që dëshmon qëndrueshmërinë, rezistencën dhe vendosmërinë për mos t’u dorëzuar kurrë. Është muaj i krenarisë për trimërinë dhe heroizmin e treguar nga breza të tërë, në mënyrë që ne sot të jemi të lirë, në shtetin tonë të pavarur e demokratik.

Dekoratat që po ndahen janë përveçse mirënjohje, edhe dëshmi e sakrificës dhe guximit, dëshmi e popullit tonë, i cili nuk u përkul, nuk u dorëzua dhe nuk hoqi dorë nga liria asnjëherë, dëshmi e mundit, djersës dhe angazhimit të gjeneratave të tëra, që dhanë gjithçka për shtetin tonë të dashur.

Prandaj, nderimi ynë do të fillojë me heronjtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata që bënë sakrificën më të lartë, duke dhënë jetën për liri. Ata luftuan për dinjitetin tonë dhe për të drejtën për të jetuar të lirë, janë themeli i shtetit tonë, ndaj nderimi i përhershëm u takon atyre.

Por, liria jonë nuk u ndërtua vetëm në fushëbetejë, përkundër që pikërisht fushëbeteja i ndërtoi themelet e saj. Ajo u ndërtua edhe nga shumë bijë e bija të këtij vendi, të cilët u munduan me dije, me guxim qytetar e me përkushtim profesional, duke vendosur shtylla të forta mbi të cilat sot qëndron progresi i shtetit tonë. Prandaj, disa nga dekoratat i kushtohen kontributit për liri e pavarësi dhe do t’u jepen atyre që u angazhuan për këtë shtet në kohët më vendimtare.

Sot do të nderojmë edhe mjekët doajenë, të cilët në rrethana të pamundura shpëtuan jetë dhe ruajtën humanizmin në kohë çnjerëzore. Do të nderojmë gratë prijetare, të cilat mbajtën gjallë shoqërinë dhe u bënë shtyllë e rezistencës sonë duke thyer edhe barriera në fusha, ku në të kaluarën dominonin vetëm burrat. Do të nderojmë edhe gazetarë e fotoreporterë, të cilët dokumentuan të vërtetën dhe ia treguan botës realitetin e Kosovës, duke e bërë zërin tonë të dëgjohet përtej kufijve.

Nderojmë aktivistët, brenda e jashtë vendit, të cilët ngritën zërin për liri dhe drejtësi. Veçanërisht, duhet të vlerësojmë rolin e jashtëzakonshëm të mërgatës sonë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vendet e Evropës e deri në Australinë e largët, të cilët me angazhimin e tyre politik, financiar e shoqëror, e mbajtën gjallë kauzën tonë dhe ndihmuan fuqishëm në rrugën drejt lirisë dhe shtetndërtimit.

Sot nderojmë edhe ata që kontribuuan në shtetndërtim, profesionistë, intelektualë dhe shërbyes publikë, kampionë të të drejtave të njeriut dhe të lirive themelore, të cilët edhe pas luftës punuan me përkushtim për ndërtimin e institucioneve dhe për konsolidimin e shtetit tonë dhe për bërjen e këtij shteti një shtet ku secili ndihet i vlerësuar dhe i barabartë. Kontributi i tyre vazhdon edhe sot, në forcimin e demokracisë dhe zhvillimin e vendit tonë.

Megjithatë, duhet ta kemi të qartë, ka ende shumë njerëz kontributi i të cilëve nuk është njohur sa duhet. Përgjatë pesë viteve të fundit kam pasur nderin që të dekorojmë shumë personalitete, të cilave në të kaluarën u ishte bërë padrejtësi, të nderojmë shumë sakrifica që ishin harruar më herët e të risjellim vëmendjen tek shumë kategori të qytetarëve tanë, të cilët kanë kontribuuar jashtëzakonisht shumë për shtetin tonë. Ishte nder i madh që medaljen e parë e kam ndarë për Bacën Rifat Jashari, pikërisht më 28 nëntor 2020, dhe që sot e përmbyllim me të gjithë ju, bazuar në propozimet që kanë ardhur nga shumë prej jush, përfshirë deputetë e kryetarë komunash, si dhe bazuar në vlerësimin nga komisioni profesional. E kuptojmë që ka edhe shumë personalitete, që meritojnë dekorimin e që tani e tutje, pra pas 4 prillit, do të shqyrtohen nga Presidenca e ardhshme.

Historia jonë është ndërtuar nga shumë sakrifica, ndaj detyra jonë është që t’i njohim dhe t’i vlerësojmë të gjithë, sepse vetëm kështu ndërtojmë një shoqëri të drejtë dhe të ndershme.

E meqenëse, deri tani fola për shumë prej personaliteteve që kanë dhënë edhe jetën, por edhe kontributin për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, për shtetndërtimin e për fuqizimin e institucioneve, ne duhet t’i vlerësojmë edhe ata që sot po u japin shpresë qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Kështu që, pavarësisht rezultatit të ndeshjes së nesërme Kosovë-Turqi, ekipi i kombëtares së Republikës së Kosovës tashmë e ka bërë historinë. Prandaj, kam nderin që t’ju njoftoj, që pikërisht për këtë kontribut të pamatshëm, për krenarinë që i kanë dhënë vendit në çdo moment dhe për shpresën, që po i japin këtij populli në hapat përpara,
Medalja Presidenciale e Meritave menjëherë pas fitores së nesërme, por siç e thashë pavarësisht edhe atij rezultati do t’i ndahet edhe ekipit kombëtar të Republikës sonë.

Këto dekorata nuk janë fundi i një historie, por janë vazhdimi i saj, janë një kujtesë se liria kërkon vigjilencë, se shteti kërkon punë kurrë pa ndalë, dhe se atdheu kërkon përkushtim secilën ditë. Ne nuk kemi të drejtë të lodhemi, nuk kemi të drejtë të harrojmë dhe mbi të gjitha, nuk kemi të drejtë të ndalemi! Sepse, ata para nesh punuan, nuk u ndalën dhe nuk u dorëzuan në rrethana tepër më të vështira sesa në ato në të cilat punojmë ne sot.

E historia jonë, sado e dhimbshme, është edhe dëshmi e forcës së popullit dhe kombit tonë për të ecur përpara.

Duhet ta kemi në mendje gjithmonë, se atdheu nuk ndërtohet vetëm nga ata që dhanë gjithçka dje, por edhe nga ata që japin çdo ditë sot dhe nuk ndalen asnjëherë për të ardhmen e tij, në mënyrë që këtë vend ta bëjmë të denjë për sakrificën e dëshmorëve, martirëve dhe heronjve tanë.

Faleminderit shumë të gjithëve!

 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.