Shumë i nderuar ambasador Malaj,
Të dashur shqiptarë,
I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Basha,
I nderuar kryeministër, z. Kurti,
Të nderuar ambasadorë,
Të nderuar mysafirë,
Qytetarë të dashur, pjesëtarë të mërgatës sonë, motra dhe vëllezër kudo që jeni,
Për atdheun jepet gjithçka, sepse atdheu është gjithçka. Sot është një ditë që nuk matet me orë e me minuta, por me shekuj. 28 Nëntori është dita kur historia jonë merr frymë, kur zemrat tona rrahin njësoj, kur flamuri kuq e zi ngrihet si simbol i shenjtë i identitetit, i sakrificës dhe i krenarisë sonë kombëtare.
Nëntori është muaji kur historia jonë buçet. Është historia që asnjëherë nuk mund të zhduket e as zbehet, sepse është e gdhendur brez pas brezi. Pikërisht në këtë muaj, më 28 Nëntor, ne bashkuam amanetin e brezave në një ditë të vetme: Ditën e Flamurit, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, katër ngjarje që krijojnë një simbiozë të shenjtë të shpirtit tonë kombëtar.
Nëntorët në historinë tonë janë pothuajse gjithmonë muaj lavdie, një rrjedhë ngjarjesh dhe sakrificash që e bëjnë kombin tonë të pavdekshëm. Nëntori i parë, në vitin 1443, kur kryeheroi ynë Gjergj Kastrioti ngriti flamurin me shqiponjën dykrenare mbi kalanë e Krujës, trasoi rrugën e të gjithë nëntorëve të tjerë, duke shndërruar këtë muaj të parafundit të vitit në muajin e shqiptarëve, të trimërisë dhe të lirisë.
Sot, ne përulemi para atyre që e mbajtën gjallë këtë flamur, në luftë, në burgje, në male e nëpër kohë, dhe e ngritën përgjithmonë në mënyrë që të valëvitet përherë.
Për dekada me radhë, ky flamur u ndalua në Kosovë. Shqiptarët u burgosën, u rrahën, u persekutuan e u vranë vetëm pse e mbanin të varur nëpër dritare, pse e ngritnin nëpër shtëpi apo e mbanin në xhep si amanet. Regjimi jugosllav e pastaj ai serb, donin ta shuanin identitetin tonë, por nuk e shuan dot kurrë askush shpirtin e shqiptarit. Sepse ky flamur ishte dhe mbetet testamenti i lirisë sonë.
Pavarësia e Shqipërisë u shpall nën këtë flamur. Nën udhëheqjen e Ismail Qemalit dhe patriotëve që erdhën nga të gjitha trevat shqiptare, e edhe nga Kosova, u ngrit zëri i një kombi që kishte vendosur të mos jetonte më nën robëri. Nga Hasan Prishtina, Isa Boletini e deri te qindra patriotë të tjerë kosovarë që dhanë gjithçka për lirinë e shtetit shqiptar, Kosova ishte aty me gjak, me pushkë, me mendje dhe me zemër.
Në atë ditë të shenjtë të vitit 1912, u skalit Shqipëria, e lirë dhe e pavarur, si një e drejtë e patjetërsueshme e popullit shqiptar.
“Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë dhe me guximin e pashoq të Shqipëtarëvet, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu, jemi të LIRË, të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj: qeshni e gëzoni!”
Këto fjalë të plakut të pavarësisë, patriotit Ismail Qemali, janë histori, udhërrëfim dhe zotim.
Kjo e drejtë u realizua më vonë edhe në Kosovë, nën po këtë flamur të shenjtë, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës, bijtë dhe bijat më të mirë të këtij vendi, u ngritën kundër regjimit gjenocidal serb për ta fituar lirinë.
Prandaj, 28 nëntori është festë e katërfishtë e jona. Është kryefesta jonë, ngase në këtë ditë, përveç daljes së parë publike të UÇK-së, festojmë edhe ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari, njeriut që nuk i takon vetëm një familjeje, por gjithë kombit këndej e andej Drinit. Ai i priu Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës drejt lirisë nën flamurin kuq e zi, duke e shndërruar sakrificën e Prekazit në pikë kthese të historisë sonë moderne. Adem Jashari ishte jo vetëm prijësi i ushtrisë sonë çlirimtare, por edhe kushtrimi më i madh i lirisë sonë.
Dalja e parë publike e UÇK-së ishte një moment historik që i dha zë dhe pamje lirisë së shumëpritur. Nën flamurin kuq e zi, luftëtarët tanë treguan para botës se vendi ynë nuk dorëzohet kurrë, se populli i Kosovës kishte vendosur të mbrohej dhe të çlirohej nga regjimi gjenocidal. Ky akt guximi shënoi fillimin e një epoke të re në historinë tonë, duke bashkuar zemrat e të gjithë shqiptarëve në një kauzë të përbashkët për liri dhe pavarësi.
Shumë të nderuar të pranishëm,
Shqipëria po ecën me hapa të sigurt drejt etapës së fundit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, por në këtë udhëtim nuk është e vetme. Përkrah saj janë fuqishëm të gjithë shqiptarët, kudo ku rreh zemra shqiptare: në Prishtinë e Tiranë, në Tetovë e Gostivar, në Ulqin e Tuz, në Preshevë, Medvegjë e Bujanoc. Ky është rrugëtimi i një kombi të tërë, i bashkuar në ëndërr dhe në përpjekje. Është rrugëtimi edhe i mërgatës sonë në çdo skaj të botës, e cila në vitet më të rënda e mbajti gjallë emrin, gjuhën, traditën dhe flamurin tonë. Pikërisht ata janë ura e fuqisë sonë, dëshmia se shqiptaria nuk shuhet, por rritet, kultivohet dhe mbahet e gjallë brez pas brezi.
Sot, më shumë se kurrë, fati ynë është i lidhur bashkërisht. Një Shqipëri më e fuqishme në BE nënkupton një Kosovë më të fuqishme; një Kosovë e konsoliduar dhe sovrane nënkupton një komb më të sigurt, më të respektuar dhe më të zhvilluar.
Të dyja vendet tona, të ndara në harta, por të bashkuara në zemër, po afrohen çdo ditë e më shumë drejt një Evrope ku shqiptarët nuk do të jenë më spektatorë, por kontribuues të barabartë.
E ardhmja jonë është integrimi ndërshqiptar, si dy shtete në BE, në NATO e në Kombe të Bashkuara. Me më shumë ekonomi të përbashkët, kulturë, projekte të përbashkëta, treg dhe vizion të përbashkët. Më shumë Kosovë në Shqipëri dhe më shumë Shqipëri në Kosovë. Ky është drejtimi, ky është misioni, kjo është rruga.
Teksa flamuri kuq e zi valëvitet sot më krenar se kurrë, rrugëtimi ynë i përbashkët na çon drejt një destinacioni që e kemi ëndërruar gjatë, drejt Bashkimit Evropian.
Kosova dhe Shqipëria ecin krah për krah, si dy shtete e një komb. Dy flamuj shtetërorë, por një zemër e vetme shqiptare. Të dy shtetet kemi bërë betejën për liri, për pavarësi e për shtet, ndaj tani bashkë po e bëjmë betejën për t’u bërë pjesë e familjes evropiane, të cilës i takojmë historikisht, gjeografikisht e me identitet.
Në zemër të Evropës, do të qëndrojmë si dy shtete të lira, të pavarura, sovrane dhe të suksesshme. E ardhmja jonë është e bashkërenduar dhe buron nga dinjiteti që na dha historia dhe me krenarinë që na e dha sakrifica!
Mu ashtu siç këndohet në këngën tonë të zemrës: “Xhamadani vija-vija, është Kosova, është Shqipëria”.
Gëzuar Ditën e Flamurit!
Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë!
Nder e lavdi e përhershme Komandantit Legjendar Adem Jashari!
Zoti e bekoftë Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarët kudo që janë!
