Shumë të dashura gra, të cilat keni kaluar apo po kaloni betejën tuaj me kancerin e gjirit,
I nderuar kryetar i Kuvendit, z. Basha,
E nderuara nënkryetare,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve,
Ambasadorë dhe përfaqësues të vendeve mike,
Të dashur mjekë, infermierë dhe punonjës të kujdesit shëndetësor,
Shumë e dashura, znj. Nafije Latifi,
Motra e vëllezër,
Tetori është muaji kur forca e grave vishet me ngjyrën e shpresës, me ngjyrën rozë. Është muaji kur kujtojmë, se çdo betejë e jetës mund të fitohet me dashuri, me kujdes dhe qëndresë.
Në këtë muaj ne nuk flasim më vetëm për dhimbje, por flasim mbi të gjitha për guxim. Nuk flasim për sëmundje, por flasim për jetë.
Sot jemi këtu për të nderuar kauzën dhe frymën. Frymën e grave që nuk u dorëzuan, që u përballën me frikën dhe e kthyen atë në forcë. Grave, që edhe në momentet më të vështira frymëzuan shpresë për veten, për familjet e tyre dhe për të gjitha gratë e Kosovës.
Dua të filloj duke shprehur mirënjohjen tonë të thellë për shoqatën “Jeta Vita”, të udhëhequr nga znj. Nafije Latifi, për një punë të jashtëzakonshme që e kanë bërë për dekada të tëra, duke i dhënë zë grave anekënd Kosovës dhe duke e ngritur vetëdijen dhe rrjedhimisht edhe forcën tonë përballë kësaj sëmundjeje.
Dua po ashtu të shpreh mirënjohjen më të thellë për mjekët, infermierët dhe të gjithë profesionistët shëndetësorë, që çdo ditë kujdesen me përkushtim për pacientët me kancer.
Ju jeni mburoja e parë e shpresës së tyre, ndaj falë punës suaj të palodhur shumë gra sot janë histori suksesi.
Prej kohës kur kam qenë Kryetare Kuvendi e sot edhe si Presidente kam pasur nderin që të punoj për së afërmi me secilin prej jush, në mënyrë që të bashkojmë forcat në përballjen me këtë sëmundje të qytetarëve tanë.
Në çdo takim me gratë kemi mësuar diçka të re për forcën njerëzore, për besimin dhe për kuptimin e jetës. Prandaj, si Presidente e kam konsideruar detyrim moral e institucional të mbështesim çdo nismë që sjell lehtësim dhe shpresë për to.
Kjo është pjesë e përkushtimit tonë të vazhdueshëm dhe mbështetje që e kemi nisur vite më parë e që nuk duhet të ndalet. Sepse, për çdo grua e çdo burrë që përballet me këtë sfidë ne duhet të jemi pranë jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra konkrete.
Sot më shumë se kurrë duhet ta ritheksojmë rëndësinë e diagnostikimit të hershëm. Çdo kontroll, çdo ekzaminim i rregullt është një mundësi për jetë.
Sa më herët që të ndodh diagnostifikimi, aq më e madhe është shpresa për jetë.
Kjo është arsyeja pse sërish dua t’i inkurajoj secilën grua, që mos të ketë frikë nga kontrolli.
Sepse, nuk është frika ajo që shpëton jetën, por kontrolli mund të shpëtojë jetën kur ai ndodh herët.
E di që kjo rrugë nuk është e lehtë. Kjo sëmundje kërkon guxim, kërkon përballje, kërkon përkrahje nga të gjithë që i kemi përreth dhe kërkon shumë dashuri.
Por, dua të them sot me bindje të plotë: kanceri i gjirit nuk është fundi. Ai mund të jetë vetëm fillimi i një kapitulli shumë sfidues, por një kapitull që ju bën më të fortë dhe më të vetëdijshëm për jetën.
Në çdo histori gruaja apo burri që ka kaluar betejën me kancer, ne shohim një shembull të jashtëzakonshëm të forcës njerëzore.
Ato janë heroinat dhe heronjtë e heshtur të shoqërisë sonë.
Është detyrë e jonë që zëri i tyre të dëgjohet, shembull i tyre të nderohet dhe përpjekja e tyre të mbështetet çdo ditë.
Të nderuar të pranishëm,
Tetori rozë nuk është vetëm një muaj për ndërgjegjësim, por një kujtesë për gjithë vitin, në mënyrë që asnjë grua të mos mbetet e vetme në këtë rrugëtim.
Le ta kthejmë kujdesin për shëndetin e gjithë qytetarëve tanë në prioritet kombëtar.
Le ta kthejmë dashurinë dhe solidaritetin në fuqi që shpëton jetë.
Në fund dua t’ju them me zemër, të gjitha grave që po luftojnë: Ju nuk jeni vetëm! Ju keni një vend të veçantë, në zemrën e këtij vendi.
Përderisa ka njerëz që kujdesen, institucione që mbështesin dhe shoqëri që bashkohet rreth kësaj kauze ka shpresë, ka jetë dhe ka fitore.
Prandaj, në këtë Tetor Rozë le të jemi një zë, një zemër dhe një premtim. Se do të vazhdojmë të kujdesemi për veten, të diagnostikojmë herët, të mbështesim çdo grua e çdo burrë që përballet me këto sëmundje dhe të mos ndalemi kurrë, derisa secila betejë me kancerin të kthehet në histori suksesi.
Le të vishemi me ngjyrën e shpresës, rozën jo vetëm në tetor, por edhe në ditë të tjera. Sepse, çdo ditë që jetojmë me dashuri, guxim dhe kujdes ndaj njëri-tjetrit është një ditë e fituar.
Zoti i bekoftë të gjitha gratë që luftojnë, të gjitha nënat, motrat dhe bijat tona!
Ju faleminderit!
