DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Zotëria i Parë, z. Prindon Sadriu, me aktivitete të shumta gjatë javës së nivelit të lartë të Kombeve të Bashkuara (UNGA 80) në New York

Zotëria i Parë, z. Prindon Sadriu, pjesë e delegacionit zyrtar të Republikës së Kosovës, mori pjesë në një sërë ngjarjesh të organizuara në kuadër të javës së nivelit të lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (UNGA 80) në New York, SHBA.

Me ftesë të Zonjës së Parë të Shteteve të Bashkuara, znj. Melania Trump, z. Sadriu mori pjesë në një ngjarje ekskluzive të dedikuar zonjave dhe zotërinjve të parë nga vende të ndryshme të botës, të pranishëm gjatë punimeve të UNGA 80. Gjatë kësaj ngjarjeje, ai pranoi ftesën që Republika e Kosovës t’i bashkohet nismës globale “Fostering the Future Together”, të udhëhequr nga znj. Trump, takimet e së cilës priten të mbahen në fillim të vitit të ardhshëm. Kjo iniciativë synon përmirësimin e mirëqenies së fëmijëve përmes promovimit të arsimit, inovacionit dhe teknologjisë, me theks të veçantë në fushën e inteligjencës artificiale. Gjatë kësaj ceremonie, z. Sadriu u takua me zonja dhe zotërinj të parë të vendeve njohëse dhe jo-njohëse të Kosovës, me të cilët diskutoi për tema të ndryshme me interes të ndërsjellë.

Në kuadër të vizitës së tij në New York, z. Sadriu zhvilloi edhe takime bilaterale me homologët e tij, përfshirë Zonjën e Parë të Republikës së Turqisë, znj. Emine Erdoğan, dhe Zotërinë e Parë të Republikës së Sllovenisë, z. Aleš Musar. Gjatë këtyre takimeve u trajtuan tema të interesit të përbashkët dhe u theksua rëndësia e rolit të tyre në mbështetjen e agjendave të krerëve të shteteve përkatëse.

Në vijim të aktiviteteve të tij, z. Sadriu mori pjesë edhe në një ngjarje të organizuar në Shtëpinë Turke, me ftesë të znj. Emine Erdoğan, e cila kishte në fokus promovimin e trashëgimisë kulturore turke dhe të traditave të qëndrueshme.

Po ashtu, Zotëria i Parë Sadriu iu bashkua Presidentes Vjosa Osmani në agjendën e saj shumëpalëshe, si dhe agjendës të takimeve me mërgatën tonë në disa qytete dhe shtete të SHBA-ve.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.