...

Fjalimi i Presidentes Osmani në hapjen e “Java e Gruas 2025” me temën: “Lidershipi që Transformon”

E dashur Nensi,

Të nderuar ambasadorë,

Zëvendëskryeministre,

Përfaqësues të institucioneve,

Të nderuara deputete,

I dashur ekip i NDI,

Të nderuar të pranishëm,

Një gjë është e qartë për ekipin tim, sa herë që afrohet Java e Gruas, ata e dinë se kjo është një ngjarje në të cilën patjetër duhet të marrë pjesë.

Arsyeja për këtë lidhet ngushtë me temën bosht të këtij viti. Besoj fuqishëm se Java e Gruas nuk është thjesht një aktivitet i përvitshëm, por është një platformë. Një platformë, që përfaqëson vetë thelbin e lidershipit transformues. Jo vetëm sepse flet për lidershipin transformues, por sepse e mishëron atë përbrenda në çdo fjalë, në çdo panel, në çdo hapësirë që krijon për gratë dhe vajzat e vendit tonë.

Prandaj, nuk besoj se ka vend më të natyrshëm për të folur për lidershipin që transformon, sesa këtu në Javën e Gruas, organizuar nga NDI në bashkëpunim me miqtë tanë zviceranë. Aty ku edhe vetë rrugëtimi politik, pra pikërisht këtu në Javën e Gruas u formësua, u rrit dhe u udhëzua nga vlerat dhe parimet, që qëndrojnë në themel të lidershipit të mirëfilltë. Faleminderit për punën e jashtëzakonshme që bëni dhe është gjithnjë kënaqësi që të jem në mesin tuaj!

Të dashura pjesëmarrëse,

Për shumë gjatë bota e ka parë lidershipin thjesht sikurse një titull, si një pozicion, si një vend në tryezë. Por, realisht lidershipi i vërtetë, ai që transformon shkon shumë përtej kësaj.

Lidershipi nuk kufizohet as në objekte fizike, as në tituj, por ai gjendet në guximin, në bindjen e palëkundur, në vendimin që shpeshherë mund të duket i heshtur, por i fuqishëm për të qëndruar në këmbë, kur është më së lehti të rrish ulur, dhe për të qëndruar për parimet kur është më së lehti të shikosh anash.

Për të folur dhe ngritur zërin, atëherë kur është më së lehti që të mos bësh zë fare. Për të rezistuar, atëherë kur është më së lehti për t’iu përshtatur masës.

Ne në Kosovë e dimë këtë më mirë se shumëkush tjetër. Nga lufta për liri kemi ecur me bindje të plotë drejt ndërtimit të demokracisë dhe institucioneve të forta. Nga shtypja u angazhuam që më në fund të kemi zë, madje zë të fuqishëm.

Nga padrejtësitë luftuam për lirinë e paqen. Dhe, në çdo hap të kësaj rruge nuk ishin vetëm burrat ata që e shtynë vendin tonë përpara. Përkundrazi ishin edhe gratë, nënat, studentet, të mbijetuarat, ëndërrimtaret, ato që i prijnë protestave, ato që luftuan për liri, ato që ndërtuan paqen, demokracinë dhe shtetin tonë.

Pra, ishin gratë. Gratë, të cilat mbajtën familjet e tyre bashkë, kur gjithçka po shembej. Gratë, të cilat udhëhoqën lëvizje, shpesh pa u quajtur fare lidere. Gratë, që e riformuluan vetë kuptimin e shërbimit jo për pushtet, por për qëllim, për kauzë.

Lidershipi që transformon nuk buron asnjëherë nga egoja, por nga empatia. Lidershipi që transformon nuk sundon asnjëherë, por fuqizon, fuqizon të tjerët. Nuk kërkon duartrokitje, por megjithatë kërkon ndryshim, ndryshim gjithnjë për më të mirë. Dhe mbi të gjitha, lidershipi që transformon e njeh një të vërtetë, e ajo e vërtetë është se asnjë shoqëri nuk mund të jetë plotësisht e lirë, e drejtë apo përparimtare nëse gjysma e popullatës së saj mbetet prapa.

Kjo është po aq e vërtetë këtu në Prishtinë sa është në çdo cep të botës. Por të jemi të sinqertë, ky rrugëtim nuk është asnjëherë i lehtë. Edhe sot gratë që udhëheqin vazhdimisht vendosen në pikëpyetje, paragjykohen më shpejt e mbështeten më pak.

Edhe sot patriarkati veshet me kostume të reja, fshihet pas titujve të tjerë, tituj më të rinj, por guxon ta thotë: pritni edhe pak. Pritni radhën tuaj! Pritni se ju jeni gra! Pritni se ende jeni të reja! Pritni se s’ju ka ardhë radha! Pritni se kjo është punë për burrat! Mos u fjalos se nuk të ka hije ti je grua, hesht e mos fol! Por, ne qëndruam gjithnjë përballë këtyre paragjykimeve.

Dhe jam e bindur se kemi pritur mjaftueshëm tashmë. Lidershipi që transformon nuk pret, por vepron, është veprim. Nuk kërkon leje, por hapë dyer. Nuk shmang dallimet, por e përballon çdo dallim me vizion, me integritet dhe dinjitet.

Këtë nuk e them vetëm si Presidente, por edhe si grua, si bijë, si nënë. Si grua, që më shpesh më është thënë: nuk mundesh sesa mundesh! Dhe megjithatë, përtej këtyre që i kanë dëgjuar gratë e Kosovës për dekada e madje shekuj me radhë, ato ia dolën!

Sot udhëheqin, sot ndryshojnë mendje, thyejnë barriera dhe më e rëndësishmja është që ne sapo kemi filluar, më e mira është duke ardhur. Por, rrugëtimi ynë deri në këtë pikë nuk erdhi vetvetiu. Atij rrugëtimi i prijnë gra e vajza, që nuk u pajtuan kurrë me kufizimet, nuk pranuan të dorëzohen. Ato të cilat e dinin qartë, se në qoftë se duam që shoqëria jonë të ecë përpara, hapin e parë duhet ta hedhim ne vetë.

Prandaj, kur flasim për lidershipin që transformon nuk kemi nevojë të shohim as përtej kufijve tanë, e as të kthehemi shumë pas në kohë. Shembuj të këtij lidershipi na rrethojnë dhe i kemi shumë pranë, madje edhe në këtë sallë. Të tilla janë gratë si Vasfije Krasniqi, Shyhrete Tahiri Sylejmani, dy gra që u shndërruan në simbol. Sepse, shndërruan dhimbjen në forcë për të ecur përpara dhe për të ndryshuar jetën e shumë grave e burrave të tjerë, që ende luftojnë në heshtje me plagët e pashërueshme.

E tillë është Fahrije Hoti, e cila e ktheu humbjen në një fuqi transformuese për gjithë komunitetin e saj, për të gjitha gratë në fshatin e saj, në qytetin e saj e më tej. E tillë është Majlinda Kelmendi, e cila arriti majat e botës në xhudo dhe hapi rrugën jo vetëm për Kosovën, por edhe për xhudistet e tjera për triumfin e Distrias, të Laurës e të Nora Gjakovës.

E tillë është Igo Rogova, një ikonë që i priu lëvizjeve që janë themel të transformimit të shoqërisë sonë. E shumë e shumë gra të shoqërisë civile, të mediave, të politikës e shumë gra të tjera, për të cilat nuk dëgjojmë në televizion, por bëjnë shumë më shumë sesa që ne e pranojmë publikisht.

Faleminderit gjithsecilës prej tyre!

Të tilla janë edhe gratë tona deputete, të cilat do të jenë me ju pasdite. Gra, të cilat thyen barriera në një botë që shpesh nuk është mikpritëse për gratë.

Të tilla janë gratë e Akademisë. Të tilla siç e përmenda, janë gratë e sektorit të shoqërisë civile, të institucioneve tona, të informacionit e teknologjisë, të energjisë, të mjekësisë, të avokatisë e të çdo profesioni tjetër.

Të tilla jeni edhe ju, të gjitha që jeni sot në këtë sallë. Sepse, edhe ju zgjodhët që të jeni këtu, në vend se kudo tjetër, të bindura se një orë e më parë me njëra-tjetrën është një orë shtesë fuqizimi. Një orë më shumë me njëra-tjetrën është një orë përkrahjeje dhe frymëzimi për të bërë më shumë, më mirë dhe për të punuar më me mençuri drejt barazisë.

Prandaj, ju ftoj që Javën e Gruas të mos e shihni vetëm si një ngjarje më shumë. Ne, kur ishim deputete të reja asnjëherë nuk e shihnim vetëm si një ngjarje të thjeshtë. Ishte shumë më shumë, siç e thashë ishte një platformë, ku çdo debat, çdo takim, çdo ditë që e kaloni së bashku është një thirrje për veprim. Për ta mbështetur njëra-tjetrën, për të thënë të vërtetën, edhe kur ajo është e vështirë për t’u përballuar, për të udhëhequr me guxim. Jo sepse nuk kemi frikë thjesht, por sepse e dimë që frika nuk ka shansa të qëndrojë përballë qëllimit tonë të përbashkët.

Për çdo vajzë të re, që na sheh dhe pyet veten nëse zëri i saj ka rëndësi, dije që ka dhe atë shumë. Për çdo burrë që beson në barazi, ju lus mos qëndroni prapa nesh, por krah nesh. Dhe, për çdo lider që është këtu, mos pyet sa tituj i ke, por sa jetë i ke ndihmuar që të përmirësohen e transformohen nëpërmjet lidershipit tënd. Sepse, lidershipi që transformon ka të bëjë me përgjegjësinë për botën që e lëmë pas nesh në fund të mandatit tonë.

E në fund, momenti kur e kupton se edhe ti mund të jesh në krye të transformimit është kur e gjen veten duke punuar për një kauzë që shkon shumë përtej teje.

Prandaj, edhe ajo shprehja e famshme: Nuk ka asgjë, asgjë më përmbushëse sesa të punosh për një kauzë që është më e madhe se vetvetja jote.

Ju faleminderit dhe ju uroj suksese në “Week of Women”, Javën e Gruas!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.