Në kuadër të vizitës shtetërore të Presidentes së Republikës së Kosovës, Shkëlqesisë së Saj, Dr. Vjosa Osmani-Sadriu, në Sulltanatin e Bruneit Darussalam, me ftesë të Madhërisë së Tij, Sulltan Haxhi Hassanal Bolkiah, Zotëria i Parë, Prindon Sadriu, zhvilloi një vizitë në Akademinë e Mbrojtjes së Forcave të Armatosura Mbretërore të Bruneit, ku u prit me nderime të larta. Gjatë kësaj vizite, ai ishte i shoqëruar nga këshilltari ushtarak i Presidentes, Gjeneral Brigade Dr. Sefer Isufi.
Zotëria i Parë u mirëprit nga Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Pehin Datu Lailaraja, Gjeneral Major (Ret.) Dato Paduka Seri Haji Awang Halbi bin Haji Md Yussof, Komandanti i Forcave të Armatosura Mbretërore të Bruneit, Gjeneral Major Dato Paduka Seri Haji Muhammad Hasaimi bin Bol Hassan, si dhe nga Komandanti i Akademisë, Kolonel Pengiran Sharifuddin bin Pengiran Haji Yusof.
Gjatë takimit, drejtuesit e institucionit e informuan Zotërinë e Parë për strukturën organizative të akademisë, për doktrinën dhe filozofinë e saj ushtarake, për nivelin profesional të stafit dhe për infrastrukturën moderne që ofron mbështetje të plotë për trajnimin dhe edukimin e kadetëve dhe oficerëve. Në vazhdim, ai vizitoi ambientet e punës, sallat e ligjërimit, hapësirat e studimit, objektet për stërvitje ushtarake e fizike, si dhe mjediset rekreative dhe akomoduese për kadetët dhe kuadrot ushtarakë.
Në fjalën e tij, Zotëria i Parë, Nënkolonel (R) Prindon Sadriu, shprehu mirënjohje të thellë për mikpritjen e ngrohtë dhe organizimin e shkëlqyer, si dhe vlerësoi lart standardet profesionale të Akademisë. Ai theksoi se pritja e jashtëzakonshme që iu bë Presidentes së Republikës së Kosovës nga Sulltani dhe autoritetet e Bruneit është dëshmi e miqësisë së sinqertë dhe e forcimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe popujve tanë.
Më pas, Zotëria i Parë mbajti një prezantim të shkurtër para pjesëmarrësve nga rreth 30 vende të botës në kuadër të kursit të Komandës dhe Shtabit të Përgjithshëm, duke ndarë përvoja profesionale dhe pikëpamje mbi çështje të sigurisë ndërkombëtare. Ai gjithashtu vizitoi edhe disa nga programet trajnuese për oficerët të cilat zhvilloheshin në këtë institucion. Diskutimi u përqëndrua edhe te bisedimet e zhvilluara ndërmjet Presidentes Osmani-Sadriu dhe Madhërisë së Tij, Sulltanit Haxhi Hassanal Bolkiah, për mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit bilateral edhe në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe për inicimin e partneritetit mes forcave të armatosura dhe akademive të mbrojtjes të dy vendeve.
Vizita u përmbyll me një drekë pune, ku u thelluan më tej diskutimet mbi potencialin për bashkëpunim ndërshtetëror në fushën e mbrojtjes dhe arsimit ushtarak.