...

Presidentja Vjosa Osmani dhe Zotëria i Parë Prindon Sadriu morën pjesë në edicionin e katërt të Forumit të Diplomacisë së Antalisë

Me ftesë të Presidentit të Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, dhe Zonjës së Parë, Emine Erdoğan, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me Zotërinë e Parë të Republikës së Kosovës, Prindon Sadriu, morën pjesë në edicionin e katërt të Forumit të Diplomacisë së Antalisë.

Gjatë qëndrimit në Turqi, Presidentja Osmani dhe Zotëria i Parë morën pjesë në ceremoninë inauguruese të Forumit si dhe në darkën solemne të organizuar nga Presidenti Erdoğan. Në këto aktivitete, ata patën rastin të takohen me krerë delegacionesh dhe zonja të para të shteteve pjesëmarrëse.

Në ditën e dytë të Forumit, Zotëria i Parë, me ftesë të Zonjës së Parë të Turqisë, Emine Erdoğan, mori pjesë në ngjarjen e nivelit të lartë me titull: “Ndërtimi i së ardhmes në një botë të fragmentuar: Fuqia transformuese e edukimit”. Kjo ngjarje kishte për qëllim nxitjen e dialogut për metodat efektive në ndërtimin e një shoqërie të zhvilluar, gjithëpërfshirëse dhe paqësore, që përgatit gjeneratat e reja për të ardhmen.

Përveç diskutimeve me Zonjën e Parë Erdoğan, Zotëria i Parë zhvilloi biseda të frytshme me zonjat e para të vendeve mike, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe personalitete të tjera të larta pjesëmarrëse në këtë aktivitet.

Gjithashtu, Zotëria i Parë mori pjesë në një aktivitet kulturor të organizuar nga Zonja e Parë Emine Erdoğan, ku u prezantuan punime artizanale të krijuesve vendorë. Në këtë aktivitet, ai pati mundësinë të shkëmbejë biseda me Ministren për Çështje Familjare, Mahinur Göktaş, Ministrin e Arsimit të Republikës së Turqisë Yusuf Tekin, ish-presidentë dhe zyrtarë të tjerë të lartë nga Turqia dhe vende të tjera pjesëmarrëse në Forum.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.