...

Fjalimi i Presidentes Osmani në aktivitetin e BIRN Kosova, në Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve, në kuadër të së cilës u publikua edhe një raport mbi ndikimin e gjuhës së urrejtjes dhe dezinformimin gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025

Faleminderit Jeta,

I nderuar ambasador Orav,

Të nderuar ambasadorë të shteteve mike,

Të nderuar përfaqësues të mediave, institucioneve dhe të shoqërisë civile,

E vërteta është arma më e fortë e demokracisë, ka qenë gjithnjë, mbetet edhe sot. Prandaj, kur sulmohet e vërteta, sulmohet vetë liria, sulmohen vet vlerat demokratike mbi të cilat është ndërtuar shteti ynë me shumë mund e sakrificë.

Në një kohë kur informacioni qarkullon me shpejtësi të jashtëzakonshme, kontrollimi i fakteve nuk është më vetëm një detyrë e gazetarëve, por shndërrohet në një obligim të të gjithë shoqërisë, respektivisht një nevojë jetike për shtetin tonë.

Kjo, ngase pa të vërtetën, asnjëherë nuk mund të ketë demokraci të mirëfilltë. Pa të vërtetën, vendimmarrja jonë mbetet e pasigurt, besimi ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve dobësohet, dhe mbi të gjitha, zgjerohet hapësira për dezinformim e manipulim, e cila mund të shpie tek rreziqe jashtëzakonisht të mëdha.

Në epokën në të cilën po jetojmë, lajmi i rremë mund të përhapet më shpejtë sesa e vërteta. Prandaj, kjo nuk është vetëm një sfidë, por një rrezik real edhe për stabilitetin e shtetit tonë, për integritetin tonë si shtet, për demokracinë por mbi të gjitha për sigurinë kombëtare.

Pikërisht për këtë arsye, kontrollimi i fakteve duhet të bëhet një standard i përditshëm, të cilin e zbaton secili prej nesh.

Sot, secili njeri mund të pandehë të jetë gazetar. Koncepti i gazetarisë qytetare na ekspozon ndaj rrezikut që të jemi vazhdimisht cak të të pavërtetave.

Gazetaria qytetare, e ndihmuar nga zhvillimi marramendës teknologjik, përfshirë edhe zhvillimet në AI, e kanë bërë verifikimin e fakteve më të vështirë dhe më sfidues se çdo herë tjetër. Çdokush me një telefon mund të publikojë diçka në një çast, pa asnjë filtër editorial, pa asnjë standard profesional e mbi të gjitha pa as minimumin e etikës profesionale.

Inteligjenca artificiale, algoritmet e rrjeteve sociale dhe platformat e komunikimit të shpejtë shpesh i japin përparësi senzacionalizmit mbi të vërtetën. Kjo ka krijuar një terren të përshtatshëm për dezinformimin, sidomos nga forca dashakeqe që vijnë prej jashtë shtetit tonë, duke e bërë edhe më të lehtë manipulimin e opinionit publik.

Ne nuk duhet të lejojmë të jemi të manipuluar, ngase pa të vërtetën, asnjëherë nuk mund të kemi demokraci të mirëfilltë e shoqëri të suksesshme.

Në kontekstin e ndryshimit të arkitekturës globale të sigurisë në botë, sot dezinformata nuk është thjesht një mjet propagandistik, por është një armë e luftës hibride që synon t`i minojë institucionet legjitime, të dobësojë besimin publik dhe të krijojë pasiguri në vendimmarrje, të cilat po kthehem prapë e rrezikojnë sigurinë nacionale të vendit tonë.

Prandaj, kur dezinformatat lidhen drejtpërdrejt me shtetin dhe me shtyllat kryesore të shtetit, ato nuk janë më vetëm sulme ndaj individëve të caktuar, por ndaj vetë shtetit dhe shtyllave mbi të cilat qëndron ai shtet dhe ndaj vet sigurisë së tij.

Luftës së tillë hibride i ndihmon jashtëzakonisht shumë edhe gjuha e urrejtjes, e cila lidhet ngushtë me mosverifikimin e fakteve, duke qenë se shpesh buron nga dezinformata dhe manipulimi i qëllimshëm i realitetit dhe shpeshherë më të sulmuarat në këtë drejtim janë pikërisht gratë.

Shpërndarja e dezinformatave krijon perceptim të gabuar. Një situatë e tillë shfrytëzohet nga ata që synojnë destabilizimin, duke e përdorur një diskurs përçarës që nxit urrejtje edhe dhunë.

Në këtë mënyrë, mosverifikimi i fakteve nuk është vetëm një sfidë për gazetarinë, por është një katalizator që pastaj krijon polarizim shoqëror edhe konflikte të brendshme.

Shteti ynë bashkë me kontributin e secilit prej jush është ndërtuar mbi vlerat e demokracisë, të vërtetës, që siç e përmendi Jeta pikërisht pse është mbrojtur e është thënë në kohërat më të rënda të historisë sonë na e solli lirinë, por është edhe rezultat i vlerave të transparencës. Por, këto vlera nuk mund të mbrohen vetëm nga institucionet, por kërkojnë përgjegjësi kolektive dhe punë të gjithsecilit.

Ndaj, sot, më shumë se kurrë, duhet t’i bashkojmë forcat. Të punojmë me media profesionale që i shërbejnë të vërtetës.

Në kontekstin e sigurisë shtetërore, mosverifikimi i fakteve nuk është thjesht një problem etik apo profesional i medias, por shndërrohet në kërcënim serioz ndaj shtetit.

Është detyrë e të gjithëve ta mbrojnë të vërtetën si një mburojë kundër këtyre kërcënimeve dhe strategjive destabilizuese, të cilat kanë për qëllim që shtetin tonë ta shndërrojnë në një shtet të pasuksesshëm.

Akterë të huaj, veçanërisht Rusia dhe Serbia, siç e dini kanë promovuar aktivisht dezinformimin dhe narrativat përçarëse për ta minuar besueshmërinë në procese demokratike në Kosovë.

Media të mbështetura nga Rusia, si Sputnik, RT etj, kanë luajtur një rol në përhapjen e dezinformatave mbi integritetin zgjedhor të Kosovës dhe në nxitjen e tensioneve në rajonin tonë. Prandaj, na duhet vigjilencë jo vetëm shtetërore, por edhe vigjilencë gjithëshoqërore. Ne të gjithë duhet të jemi gardianë të verifikimit të fakteve. Nuk duhet të reshtim së verifikuari. Verifikim, verifikim dhe konfirmim i verifikimit, në mënyrë që të mos biem pre e këtyre tendencave dashakeqe në asnjë situatë.

Na duhen edhe qytetarë të vetëdijshëm dhe këtu mund të kontribuojnë të gjithë nëpërmjet platformave siç edhe ju bashkëpunoni, në mënyrë  që ata mos të bien pre e dezinformatave, por të kërkojnë burime të besueshme dhe të verifikojnë informacionin para se ta shpërndajnë.

Liria e shprehjes është një ndër shtyllat e  të drejtave dhe lirive themelore, e mbrojtur me Kushtetutë. Por, ajo nuk është e pakufizuar dhe nuk është absolute, siç e thotë edhe vet Kushtetuta jonë, e cila tregon se në cilat raste mund të kufizohet liria e shprehjes. Nuk është liri e shprehjes të thirrësh për vrasje, nuk është liri e shprehjes të bësh thirrje për dhunë, nuk është liri e shprehjes të kërkosh që dikush të vritet me plumb në ballë, nuk është liri e shprehjes të nxitësh urrejtje, nuk është liri e shprehjes ta rrezikosh sigurinë nacionale duke u bazuar në dezinformata, sigurinë nacionale të këtij shteti për të cilin keni kontribuuar secili prej jush, shtetit tonë të përbashkët, nuk është liri e shprehjes.

Të bësh thirrje për vrasje, është krim, është vepër penale, jo liri e shprehjes.

Të bësh thirrje që një grua të dhunohet se e ka lyp, se ashtu e ka dashtë plumbin në ballë është krim, është nxitje për ta vrarë edhe një tjetër grua, nuk është liri e shprehjes. Nxitja e urrejtjes në asnjë shtet demokratik dhe nxitja e dhunës në asnjë shtet demokratik nuk janë liri e shprehjes. Nuk mund të konsiderohen të tilla as në demokracinë kosovare.

Prandaj, para se të besojmë, para se të shpërndajmë, para se të veprojmë – të verifikojmë dhe të verifikojmë përsëri.

Mos të lejojmë që gënjeshtrat të bëhen histori, të shndërrohen në një realitet të prezantuar para qytetarëve tanë edhe pse të bazuar në gënjeshtra, e dezinformatat ta përcaktojnë rrugën tonë përpara.

Sa herë që flasim për sfida të tilla të mëdha, mua më kujtohet një prej liderëve më të mëdhenj të kontinentit tonë Vaclav Havel, një ndër përkrahësit më të mëdhenj të Kosovës, i cili në fjalimin e tij në Parlamentin Evropian, thotë: Në fund të fundit, shpëtimi i racës njerëzore do të gjendet vetëm në zemrën e njeriut, vetëm në zemrën e njeriut. Teknologjia mund të ecë përpara, por asgjë s’mund ta zëvendësojë njerëzoren brenda nesh.

Prandaj, thirrja ime përtej verifikimit është që mos ta harrojmë vlerën më të madhe që neve na ka mbajtur gjallë në kohërat më të rënda, ta mbrojmë këtë vlerë me çdo kusht, ta mbrojmë bashkë me verifikimin e fakteve edhe njerëzoren brenda nesh.

Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.