E nderuar zëvendëskryeministre, ministre,
Përfaqësues të qytetarëve, deputet,
Shkëlqesi ambasadorë,
Përfaqësues të shoqërisë civile dhe organizatave partnere,
Të nderuar media që sot jeni këtu me ne,
Të nderuar pjesëmarrës,
Ju falënderoj shumë për ftesën por mbi të gjitha për angazhimin e përbashkët në drejtim të luftimit të dhunës me bazë gjinore.
Sot të gjithë pranuam edhe një lajm të kobshëm. Në mëngjesin e hershëm, një burrë vrau gruan në mënyrën më makabre duke na alarmuar të gjithëve që fenomeni i dhunës me bazë gjinore mbetet jashtëzakonisht prezent në shoqërinë tonë. Në këto çaste, ne ndajmë dhimbjen dhe shprehim ngushëllimet më të sinqerta për jetën e humbur të bashkëqytetares sonë.
Fatkeqësisht, lajmet për dhunën mbi bazë gjinore po bëhen gjithnjë e më prezente në përditshmërinë tonë. Përderisa rritja e numrit të rasteve të raportuara mund të përkoj me ato që i dëgjojmë, duhet mbi të gjitha të na shqetësoj fakti që dhuna është kaq shumë prezente në Kosovën tonë.
Të dalur nga një pandemi, i kemi të gjithë të freskëta kujtimet e dhimbjes e sfidave të përjetuara përgjatë saj. Mirëpo, dhuna mbi bazë gjinore mbetet pandemia të cilës nuk po ia shohim fundin. Si e tillë, dhuna mbi bazë gjinore është pandemia më afatgjatë në historinë e njerëzimit.
Andaj, duhet ta themi zëshëm, jo vetëm përgjatë 16 ditëve të aktivizimit, por çdo ditë: kur flasim për luftimin e dhunës mbi bazë gjinore nuk duhet të bëjmë kompromis.
Sepse, përderisa dhuna mbi bazë gjinore është një prej shkeljeve më flagrante të të drejtave të njeriut, ajo nuk paraqet një gjendje të natyrshme të shoqërisë. Si e tillë, ajo mund e duhet të parandalohet dhe të luftohet.
Por, mbi të gjitha, duhet ta kemi përfundimisht të qartë se dhuna mbi bazë gjinore nuk është një temë me të cilën duhet të merren vetëm vajzat dhe gratë. Kjo është plaga jonë e përbashkët, andaj luftimi i saj duhet të jetë rezultat i angazhimit të përbashkët të grave dhe të burrave.
Prandaj sot, po aq sa ju drejtohem grave dhe vajzave, po kaq zëshëm i ftoj burrat dhe djemtë e Kosovës që të punojmë së bashku drejt eleminimit të të gjitha formave të dhunës.
Realiteti i ditëve tona është i tillë që 1 në 3 gra në botë kanë përjetuar qoftë dhunë fizike qoftë dhunë psiqike përgjatë jetës së tyre. Kjo i bie që dhuna bashkëjeton me ne – ajo është pothuajse në çdo lagje, në çdo hapësirë publike e private – me dhunën ballafaqohen kaq shumë gra dhe vajza. Në mesin e tyre ka aq shumë gra dhe vajza për të cilat as nuk e mendojmë dot se do të mund të ishin viktima e radhës.
16 ditët në vijim janë padyshim një prej periudhave më të rëndësishme në ciklin 365 ditësh të një viti kur flitet për çështjen e dhunës me bazë gjinore. Por, puna në këtë drejtim ka qenë e përditshme. Nga institucionet publike e deri tek organizatat e shoqërisë civile, angazhimi për financim, për parandalim, për përgjigje e evidentim ka qenë i përditshëm.
Përkundër një situate shqetësuese në vend përgjatë vitit të fundit në veçanti, nuk mundemi kurrsesi të anashkalojmë mundin, konsistencën e punës e angazhimin e rregullt të kampionëve të përditshëm – gra e burra, vajza e djemë – të cilët në baza ditore japin maksimumin e tyre për të luftuar dhunën, për të shpëtuar jetën, e për të garantuar dinjitet për viktimat e dhunës.
Andaj sot, edhe pse të përballur me një realitet të hidhur, dua të vlerësoj punën e jashtëzakonshme që është bërë për aprovimin e Strategjisë kombëtare për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave 2022 – 2026, si dhe së fundmi aprovimi i protokollit të bashkërendimit midis institucioneve nga fillimi i hetimit, tek ndjekja penale nga prokuroria, e deri tek gjykimi i rastit. Po ashtu, duke u bazuar në zhvillimet e fundit, puna në drejtim të luftimit të dhunës mbi bazë gjinore do të jetë në krye të agjendës së Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në kuadër të zyrës sime. Ndërsa, duhet theksuar në veçanti se që nga viti 2020 vendi ynë ka marrë përsipër një sërë obligimesh për të trajtuar dhunën ndaj grave edhe bazuar në Konventën e Stambollit të cilën e ratifikuam unanimisht në Kuvendin e Kosovës.
Të dashur pjesëmarrës,
Të dashur qytetarë,
Kur flasim për dhunën me bazë gjinore, ne flasim për një jetë që lëndohet në baza të rregullta, një grua që shtypet, një vajzë që gradualisht i shuhen shpresat, një njeri që vuan presionin e dhimbjen e pamerituar. Ne flasim për një jetë që në çdo moment padrejtësisht mund të shuhet.
Kërkon shumë guxim për një viktimë të dhunës që të flas, që të kërkoi ndihmë, që të paraqitet në polici, por i lus që ta bëjnë këtë hap. Për ta bërë këtë hap, po aq sa duhet guxim prej anës së tyre, duhet të ketë edhe siguri nga ana jonë, duhet të garantohet ndjenja e rahatisë e komforit nga ana e institucioneve përgjegjëse, ndjenja e mbrojtjes sepse tek ne vinë për mbrojtje.
Andaj, trajnimi dhe përgatitja profesionale e policëve, prokurorëve e gjykatësve, shërbyeseve civil, punëtorëve në shëndetësi, qendra sociale e strehimore duhet të jetë prioritet i yni i çdoditshëm.
Nuk kemi kohë për të humbur, sepse çdo minutë i humbur mund të shndërrohet edhe në një jetë të përfunduar fatalisht.
Nuk mund të ketë tolerancë për gjykatës e prokurorë neglizhues, sepse përballë krimit nuk mund të ketë kompromis e as rrethana lehtësuese.
Nuk mund të ketë mirëkuptim për dhunuesit, sepse për dhunë mirëkuptim nuk ka.
Nuk do të pranojmë më argumente për mungesë të kapacitetesh, sepse përballë një emergjence nacionale siç është dhuna mbi baza gjinore duhet luftuar me çdo resurs e çdo kapacitet që e kemi në dispozicion.
Ne flasim shumë për vlerat familjare e shoqërore këtu në Kosovë të cilat përbëjnë historikisht bazamentin e shoqërisë sonë. Ne krenohemi kaq shumë me atë që përfaqësojmë dhe vlerat mbi të cilat jemi zhvilluar si shoqëri. Por, me keqardhje e them se kur dhuna bëhet pjesë e përditshmërisë, atëherë reflektimi bëhet domosdoshmëri, nuk kemi për çka të krenohemi më, nuk mund të flasim për vlera më.
Përderisa barra për politikbërje, për parandalim e luftim të këtij fenomeni me të drejtë bartet nga institucionet përgjegjëse, në qendër të diskutimit duhet ta shohim edhe origjinën e problemit. Dhuna mbi bazë gjinore është kanceri i shoqërisë së ditëve tona. Ngjashëm si kanceri dhe çdo sëmundje tjetër, për ta luftuar suksesshëm atë, ne duhet së pari të kuptojmë shkaqet e problemit.
E ato, fatkeqësisht janë të shumta. Që nga siguria ekonomike, në fakt mungesa e saj, mungesa e qasjes në pronë e çështjet e trashëgimisë, mungesa e pjesëmarrjes së barabartë në procese shoqërore, politike e të vendimmarrjes në çdo nivel, e deri te interpretimi përmes aplikimeve të standardeve të dyfishta të normave e termeve relevante të drejtësisë, fenomeni negativ i dhunës me bazë gjinore paraqet një prej sfidave më komplekse e multidimenzionale të ditëve tona.
Por, në rrënjë të gjithë kësaj qëndron botëkuptimi seksist e thellësisht i ngujuar në strukturën e ADN-së së një shoqërie përmes edukimit qoftë në rrethin familjar, shoqëror, në banka shkollore, në rrugë apo në punë. Seksizmi është sfidë e përditshme thelbësisht e integruar në mënyrën se si mendohet, veprohet e me raste, edhe si dizajnohen politika, projekte e strategji.
Një dukuri e tillë tashmë nuk është një dukuri e izoluar. Seksizmi po vret. Andaj, mjaft është mjaft!
Përfundimisht, suksesi i vërtetë në këto përpjekje nuk është vetëm rehabilitimi dhe mbrojtja e viktimave, por sukses përfundimtar është parandalimi e eliminimi i rasteve të dhunës ndaj grave.
Rrjedhimisht, synimi ynë i përbashkët duhet të jetë pikërisht ky eliminim dhe adresimi i fenomeneve që e motivojnë atë.
Andaj, qoftë përmes fushatave vetëdijësuese, peticioneve, aktiviteteve në shkolla, komunitete, institucione fetare, diskutimeve të rregullta, nismave ligjore e strategjive, le të mos mbetet asnjë gurë i palëvizur për të garantuar siguri, mbrojtje të çdo jete e dinjitet për gratë dhe vajzat, e përfundimisht edhe për çdo qytetar pa dallim.
Ju faleminderit!