presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

U. D. i Presidentit, dr. Jakup Krasniqi mori pjesë në manifestimin e Shoqërisë Kulturo-Artistike dhe Etnologjike nga Prizreni

Ushtruesi i Detyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës, dr. Jakup Krasniqi mori pjesë në manifestimin e Shoqërisë Kulturo Artistike dhe Etnologjike nga Prizreni, në të cilin morën pjesë edhe shoqëritë kulturore artistike nga Kosova dhe regjioni.

Më poshtë po e japim fjalën që z.Krasniqi e mbajti me këtë rast: Ndjehem shumë i kënaqur dhe i nderuar të jem sot midis jush, në këtë manifestim të rëndësishëm kulturor dhe artistik. Fillimisht përgëzoj organizatorët dhe mbështetësit që bënë të mundur këtë ngjarje kulturore. Kosova ka një thesar të pasur dhe shumë të çmuar  të kulturës shpirtërore dhe materiale, që vie nga thellësitë antike dhe deri në kohët moderne.Ky kolorit i sotëm kosovar është dëshmi e pasurive kulturore etnologjike dhe artistike të Kosovës.Jeta e lirë, me qytetarë dhe komunitete të barabarta në Kosovën e re, ka krijuar kushtet e ruajtjes së trashëgimisë së përbashkët multikulturore dhe të zhvillimit e emancipimit të të gjitha komuniteteve pakicë, mbi bazën e standardeve më të larta që ka njohur bota për të drejtat dhe liritë e pakicave etnike.Unë dëshiroj me këtë rast të inkurajoj të gjitha komunitetet pakicë në Kosovë ta ruajnë trashëgiminë kulturore të tyre, ta pasurojnë dhe zhvillojnë atë në kushtet e reja moderne, sepse kështu pasurojmë fondin kulturor e artistik të vendit tonë, por edhe ngremë nivelin e zhvillimit të gjithëmbarshëm të vetë këtyre komuniteteve.Për t’i zhvilluat këto vlera duhet edhe përkujdesje e mbështetje adekuate e institucioneve përkatëse, që nga niveli lokal e deri te ai qendror.Vlerat tona kulturore nuk duhet t’i mbajmë vetëm për vete, ato duhet të kapërcejnë kufijtë e vendit tonë, për t’u bërë pjesë përbërëse e vlerave universale botërore kulturore dhe artistike.Sot  me kënaqësi po shoh këtu edhe përfaqësues kulturorë të vendeve fqinje të Kosovës, të cilët do të paraqesin vlera kulturore, artistike dhe etnologjike të atyre vendeve. Ne duhet të thellojmë marrëdhëniet tona në të gjitha fushat, pra edhe në atë të kulturës. Kultura përbën faktorin e rëndësishëm të lidhjes dhe të bashkëpunimit midis vendeve dhe kombeve të ndryshme.Duke iu uruar mirëseardhje shoqërive kulturore-artistike të vendeve të ndryshme, këtij takimi të rëndësishëm kulturor i dëshiroj sukses të plotë, për t’i kontribuuar kështu njohjes më të mirë midis nesh, ofrimit dhe bashkëpunimit midis popujve dhe vendeve të rajonit tonë.

This site is registered on wpml.org as a development site.