presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Sejdiu: Argumentet e Kosovës për pavarësinë janë të parrëzueshme

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, në emër të popullit dhe të institucioneve të vendit, shpreh mbështetjen e tij të plotë për përfaqësimin dinjitoz të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë nga përfaqësuesit institucionalë, Ministri i Punëve të Jashtme, z. Skender Hyseni, dhe Sër Michael Wood me bashkëpunëtorët e tij.

Me këtë rast, Presidenti Sejdiu falënderon të gjitha vendet që e kanë mbështetur dhe po i japin mbështetje Kosovës në këtë proces gjyqësor ndërkombëtar duke theksuar se argumentet e prezantuara për pavarësinë e Kosovës janë të qëndrueshme dhe të parrëzueshme. “Këtyre argumenteve, përveç atyre historike-juridike dhe bashkëkohëse të zhvillimit të Kosovës dhe të dëshmimit të saj si rast sui generis, të cilat bazament e kanë vullnetin politik të popullit të Kosovës, u shtohen edhe zhvillimet pozitive në Kosovë që nga shpallja e pavarësisë e këndej. Kosova ka dëshmuar se është vend i stabilitetit të qëndrueshëm, është vend i pranueshëm për të gjithë qytetarët e saj, është vend i respektimit të të drejtave dhe lirive njerëzore, është vend i respektimit të të drejtave të komuniteteve pakicë sipas standardeve më të larta dhe është vend që ka marrë përgjegjësi si partner i rëndësishëm për paqe dhe stabilitet në rajon, si dhe për fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim reciprok.Vetë njohjet ndërkombëtare që i janë bërë Kosovës dhe anëtarësimi i saj në institucionet ndërkombëtare (siç janë Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar) dhe partneriteti i rëndësishëm i Kosovës në marrëdhëniet bilaterale janë evaluim i ecjes së suksesshme dhe i zhvillimit të Kosovës si vend sovran, i pavarur dhe demokratik në familjen e vendeve të lira.Kosova i ka besuar dhe i beson drejtësisë ndërkombëtare dhe pret që shumë shpejt do të përfundojë ky proces duke e respektuar vullnetin politik të popullit të Kosovës dhe realitetin pozitiv të ndërtuar në Kosovën sovrane dhe të pavarur”, ka theksuar Presidenti Sejdiu.

This site is registered on wpml.org as a development site.