presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga në “Mlada Fronta Dnes”: Epoka e së keqes ka përfunduar

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga i ka dhënë një intervistë gazetës së Pragës “Mlada Fronta Dnes”, e cila është njëra nga gazetat më lexuara dhe më të rëndësishme në Republikën Çeke.

Më poshtë po e sjellim të plotë intervistën e botuar në këtë gazetë më 24 maj 2011, në faqen e parë dhe në faqen e dhjetë:

Epoka e së keqes ka përfunduar

“Shteti më i ri në botë, Kosova, po ashtu, e ka presidenten më të re në botë. Tridhjetegjashtëvjeçarja Atifete Jahjaga, intervistën e saj të parë në media të huaja e ka dhënë për gazetën Mlada Fronta Dnes. Së shpejti e pret takimi me Presidentin Amerikan, Barak Obama. E admiron Vaclav Havelin, ndërsa përvojën çeke e konsideron si shembull të mirë për kursin e ardhshëm të vendit të saj”
 
– Deri më sot 75 vende e kanë njohur pavarësinë ë Kosovës. Cili numër do t’ ju kënaqte në fund të mandatit tuaj njëvjeçar e gjysmë?

– Njëqind. Edhe më shumë, edhe pse kjo nuk është e mjaftueshme që të bëhemi anëtarë të OKB-së ose BE-së.

– Si mendoni ta arrini këtë?

– Unë do të thosha se askush nuk përfiton nga mosnjohja e pavarësisë së Kosovës – as vendet që nuk e njohin Kosovën për arsyet e tyre të brendshme dhe as ato vende që solidarizohen me Serbinë.

– A mund të paramendoni që Republika e Kosovës të ketë raporte miqësore me Serbinë – për shembull, në nivel të njëjtë siç kanë sot Franca dhe Gjermania, armiq të dikurshëm nga koha e Luftës së Dytë Botore?

– Kjo është e vetmja perspektivë për të dyja vendet. Mendoj se duhet të merret mësim nga e kaluara dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin në rrugën e integrimeve evropiane.

– Çka do të bëni në këtë drejtim?

– Së bashku duhet t’i sjellim përpara drejtësisë fajtorët për të gjitha krimet e bëra, për vrasjet, masakrimet, dhunimet, shkatërrimet. Dhe sidomos ata që nxitën urrejtjen etnike dhe propaguan spastrimet etnike. Kemi jetuar me shekuj së bashku në të kaluarën dhe nuk ishim gjithherë armiq. Konsideroj se koha e së keqes ka përfunduar dhe tash është koha për
pajtim. Kjo do të thotë të sigurojmë kthimin e të shpërngulurve në shtëpitë e tyre.

– A është përparësi për Kosovën të ketë një grua në krye të shtetit?

– Mendoj se është, nëse e kemi parasysh Kosovën si shoqëri tradicionale patriarkale me shumicë myslimane. Të kesh në krye një femër me karrierë të suksesshme, një femër që e respektojnë dhe e çmojnë dhe e marrin si shembull, për Kosovën dhe barazinë gjinore, kjo mund të shfrytëzohet si tejkalim i një gjendjeje të trashëguar.

– Si u bë që një oficereje policore tridhjetegjashtëvjeçare t’i ofrohet vendi i presidentes së vendit?

– Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar se presidenti paraprak ishte zgjedhur në mënyrë jokushtetuese. Partitë politike nuk mund të merreshin vesh për një kandidat që do të kalonte me dy të tretat e shumicës parlamentare. Mbeti vetëm një mundësi: të pajtohen për një kandidat jopolitik. Kështu doli propozimi për mua, duke marrë parasysh karrierën time, angazhimin tim dhe sukseset e mia si pjesë e Policisë së Kosovës.

– Çfarë ju shtyri të hyni në polici? Ju keni studiuar drejtësinë dhe, nëse nuk gabohem, në vitin 1999 në Kosovë policia nuk ka qenë shumë e pëlqyer?

– Sigurisht, si juriste kam mundur të punoj çdo kund tjetër. Mirëpo kam dashur t’i jap një imazh tjetër policisë, i ndryshëm nga ai që e kishim njohur deri atëherë, t’ua heqësh njerëzve frikën nga uniforma e policisë. Arsye tjetër është se familja ime ka qenë e persekutuar gjatë viteve. Babai im ka lindur në burg për arsye se e gjithë familja ime ishte në burg në atë kohë. Por, kemi pasur fat dhe mbijetuam.

– Ju u bëtë presidente pothuaj brenda ditës. Sa kohë keni pasur që të mendoni për këtë?

– Pak ditë përpara se të ndodhte kjo, disa miq më bënë me dije se mund të isha kandidate për presidente, mandej kur më erdhi oferta zyrtare isha e përgatitur që ta pranoja. Në polici jemi mësuar të lëvizim nga një detyrë në tjetrën, t’i kryejmë detyrat dhe të mendojmë e të vendosim shpejt.

– Nuk jeni hamendur për asnjë çast? A keni parë diçka negative në këtë post?
 
– Jo, nuk jam hamendur dhe nuk kam parë asgjë negative. Punën në polici e kam dashur dhe me hyrjen në politikë e kam ndërprerë një karrierë të suksesshme në polici. Po hyja në politikë pa ndonjë përvojë, pa përkrahje konkrete të ndonjë partie politike dhe, para së gjithash, nuk kemi të bëjmë me një zgjedhje standarde – jam zgjedhur me mandat njëvjeçar e gjysmë. Presidenti i ardhshëm do të duhej të zgjidhej me votën e drejtpërdrejt në vitin 2012.

– A jeni konsultuar me familjen? Cili ka qenë qëndrimi i bashkëshortit?

– Familja ishte krenare, por njëkohësisht kishte një lloj droje. Të jesh në krye të shtetit është përgjegjësi e madhe. Burri im menjëherë më ka përkrahur dhe ka pasur çdo herë besim të plotë në mua.

– Çfarë ka ndryshuar për bashkëshortin tuaj pasi u bëtë presidente?

– Asgjë, përveç se është bërë Burri i Parë i Kosovës. Dhe kjo në një vend tradicional patriarkal do të thotë shumë (qeshë). Jo, njëmend nuk ka ndryshuar asgjë sepse ne mirëkuptohemi shumë mirë me njeri-tjetrin dhe unë sillem krejt normalisht. Bie fjala, unë dal në lokale me miqtë, dal për të blerë, shëtis rrugëve, përshëndetem me njerëz, dhe gjithmonë këtë e bëj me sigurimin minimal që të bie në sy sa më pak.

– Keni arritur gradën e gjeneralit si policja më e re në Evropën Juglindore, tani jeni presidentja më e re në botë. Çka do të thotë kjo për ju?

– Asgjë e veçantë. Nëse punoj mirë, kjo më mundëson të kem mbështetjen e partive politike dhe qytetarëve të Kosovës. Kjo përkrahje më mundëson që qytetarëve të Kosovës t’ju siguroj anëtarësimin në BE dhe të vazhdojmë të mbajmë lidhje shumë të ngushta me SHBA-të. Anëtarësimi në BE dhe NATO si dhe miqësia me SHBA-të mundësojnë stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik. Ky është qëllimi im, dhe në këtë drejtin do të punoj fuqishëm.

– Çdo vend i cili bën përpjekje për përafrim apo anëtarësim në BE duhet pyetur vetveten se çfarë ai vend mund t’i ofrojë BE-së. Çfarë mund të ofrojë Kosova?

– Kosova gjeografikisht është pjesë e Evropës dhe si e tillë nuk mund të izolohet. Kosova nuk ka alternativë tjetër, dhe as që do alternativë tjetër, përveç asaj evropiane. Një e treta e popullsisë së Kosovës jetojnë dhe punojnë për shumë vite në vendet e BE-së. Shqiptarët e Kosovës gjithnjë kanë qenë pjesë e civilizimit dhe kulturës evropiane.

– A ka ndonjë vend i botë i cili do të ishte model i mirë për rrugëtimin e Kosovës?

– Secili vend i Evropës i ka përvojën e vet. Pa veçuar ndonjërën, megjithatë, do të thosha se modeli zviceran i administrimit dhe tolerancës do të mund të shërbente si inspirim për ne. Në Zvicër ne edhe ashtu e kemi komunitetin më të madh nga Kosova. Shembull të mirë për integrimin e kulturave e konsideroj Francën.

– Keni ndonjë idhull apo model të politikanit?
 
– Secili është autentik, secili jeton në kontekstin e caktuar historik. Unë në pjesën më të madhe jam origjinale dhe dua të mbetem e tillë por duke marrë edhe përvojën e liderëve të tjerë dhe duke e inkorporuar atë në rrethanat dhe në kushtet e Kosovës. Do të mund të përmendja Churchill-in, de Gaull-in, Vili Brandt-in. Ndërsa kur është fjala për rrethanat e një tranzicioni të suksesshëm shoqëror, pa pikë dyshimi Vaclav Havelli është ai që e admiroj.

– E ndonjë femër idhull?

– Historia e popullit tim ka mjaft femra të suksesshme. Tash kur po mendoj, më vjen në mendje Donika Kastrioti, gruaja e heroit kombëtar shqiptar të mesjetës, Gjergj Kastrioti Skënderbeu (vg: luftëtar për qytetërim dhe krishtërizëm evropian kundër Perandorisë Osmane dhe Islamizmit) dhe Nënë Tereza, babai i së cilës ishte me prejardhje nga Prizreni, qytet në jug të Kosovës. Të dyja i karakterizon një vullnet i pamposhtur, të dyja kishin një besim të paluhatur, të dyja janë shembull i shërbimit dhe i sakrificës për të tjerët, për idenë dhe misionin e vet.

– Në ballinën e ndërtesës së Asamblesë Komunale të Prizrenit, qyteti i dytë më i rëndësishëm në Kosovë, është një mbishkrim i madh në gjuhën çeke që thotë “Faleminderit Republika Çeke”. Çka do të thotë kjo për ju dhe cila është ndjenja juaj për atë mbishkrim?

– Është plotësisht i drejtë dhe korrekt, është shprehje spontane e falënderimit për një miqësi dhe mbështetje për të kaluarën dhe të tashmen.

– Republika Çeke përkrah Kosovën në procesin e saj për transformim dhe perspektivën evropiane. A mund të shërbejë Republika Çeke si inspirim gjatë procesit të përafrimit të Kosovës më BE-në?
 
– Kontributi i Çekisë për Kosovën është i madh për faktin se Çekia e njeh pavarësinë e Kosovës edhe se këtu kishim një kontingjent shumë të mirë të ushtarëve çekë në kuadër të KFOR-it. Ne shprehim falënderimin e madh të popullit të Kosovës dhe respektin për jetën e humbur të ushtarëve çekë gjatë misionit të tyre në Kosovë. E kaluara e popullit çek dhe kundërvënia ndaj bllokut sovjetik ishte inspiruese për lirinë e popullit tonë. Ndarja paqësore ndërmjet Çekisë dhe Sllovakisë është shembull i mirë për popujt e ish-Jugosllavisë, si dhe vitet e 90-ta të tranzicionit çek. Republika e Çekisë mund të ndikojë tek fqinji i saj Sllovakia që ta njohë pavarësinë e Kosovës. Kosova nuk bën të mbetet vendi i fundit për t’u integruar në BE. Këtu, përveç të tjerash, kemi një mision të fuqishëm ndërkombëtar, i cili ndihmon në demokratizimin e vendit dhe aplikimin e standardeve evropiane.

– Korrupsioni është problem serioz në gjithë botën. Si përballeni me këtë dukuri në Kosovë?

– Korrupsioni është një dukuri negative e të gjitha vendeve në tranzicion që lë pasoja për shoqërinë. Fatkeqësisht korrupsioni më i madh bëhet nga institucionet e shtetit dhe nga strukturat që janë të afërta ose që janë të lidhura me shtetin. Në tranzicion për t’u pasuruar më shpejt dhe në çdo mënyrë pa zgjedhur mjete, njerëzit zgjedhin rrugën e korrupsionit në vend të tregut të lirë dhe punës së ndershme. Kosova nuk ka ecur me ritmin e dëshiruar të sistemit prokurorial dhe gjyqësor dhe ka raste që nuk është efikase lufta në parandalimin dhe eliminimin e korrupsionit. Kosova është rrugë tranzite edhe e krimit të organizuar dhe futjes së mallrave kontrabandë dhe ndonjëherë kjo është një lidhje ndërkombëtare ose globale në të cilën njerëzit e Kosovës e kanë hallkën e vet. Në Kosovë shoqëria është e tillë që çdo gjë dihet dhe gati të gjithë njihen mes vete dhe ekzistojnë të gjithë mekanizmat që korrupsioni të luftohet efektivisht dhe që pasuria e fituar në mënyrë ta paligjshme t’i kalojë shtetit. E mira është se këto vepra nuk vjetrohen dhe ata që i bëjnë asnjëherë nuk janë të amnistuar. Pra, është një plagë që duhet të shërohet patjetër në mënyrë që Kosova të ecë përpara dhe që qytetarët të kenë besim në institucionet e vendit.

– Në fund të kësaj jave do të takoni homologët tuaj të vendeve të ndryshme në Samitin e Varshavës, në të cilin do të jetë i pranishëm edhe Barak Obama. Cilat janë pritjet tuaja nga ky udhëtim?

– Pritjet tona janë të mëdha. Është mundësia të flas drejtpërdrejt me udhëheqësit e shteteve të tjera, të krijojmë rrugë të bashkëpunimit në interes të vendeve tona, në interes të qytetarëve tanë dhe në interes të paqes dhe mirëkuptimit në botë. Begatia qëndron në diversitet dhe ne mund të gërshetojmë vlerat me njëri-tjetrin.

– A mund t’i shfrytëzoni edhe “armët femërore”?

– Nuk mendoj kështu, nuk mendoj se ekzistojnë metoda sekrete të femrave. Mendoj se kjo është individuale si tek femrat ashtu edhe tek meshkujt dhe ka të bëjë me karakterin e secilit dhe me përcaktimin se me çfarë do që të realizojë qëllimet.

– A ekziston diçka që mund të quhet politika e femrave?
 
– Të dyja gjinitë jemi njerëz dhe e kemi njerëzoren brenda vetvetes, por unë mendoj se femrat janë më të ndjeshme dhe janë më të gatshme për kompromise dhe mendojnë më shumë me zemër.
 
– A e keni përshtypjen se femrat në politikën e lartë i rrinë më afër njëra-tjetrës dhe janë me solidare mes tyre?

– Nuk do të flisja për solidaritet, por mendoj se femrat mirëkuptohen më lehtë. Unë kam një përkrahje sidomos nga deputetet e Parlamentit të Kosovës dhe nga femrat ministre në Qeverinë e Kosovës.

– E keni takuar Hillari Klintonin në të kaluarën. A jeni në kontakt tani?

– Po. Sapo e kam falënderuar me një letër për urimin që më bëri për zgjedhjen time Presidente e Republikës së Kosovës. Unë kam një respekt të veçantë dhe një falënderim për gjithë atë që ka bërë për Kosovën ajo dhe bashkëshorti i saj Bill Klinton, duke i kujtuar skenat shumë prekëse të vizitës së kampit të refugjatëve nga Kosova në Maqedoni në vitin 1999. Shpresoj se gjatë mandatit tim presidencial do të mund të takohem me të disa herë.

– Si police, keni lexuar libra apo keni shikuar filma me përmbajtje policore?

– Po, edhe pse nuk jam e pasionuar pas filmave “aksion”, që nuk do të mund të thosha edhe për filmat nga jeta e detektivëve. Unë kam pasur një jetë të qetë të polices që gjërat i llogarit shumë mirë duke evituar çdo mundësi rreziku dhe duke i kushtuar më shumë rëndësi planifikimit sesa guximit e aksionit.

– Pra, ndërmjet Xhems Bondit e Sherlok Holmsit…?

– Holmsi, pa dyshim.

[Box] PROFILI
Atifete Jahjaga (36)
Muajin e kaluar është bërë Presidente e Republikës së Kosovës. Deri atëherë ka shërbyer si zëvendësdrejtore e Policisë së Kosovës. Historikisht është policja me e re në Evropën Juglindore me gradën e gjeneralit. Në polici ka filluar të punojë në vitin 1999 si police e thjeshtë. Ka studiuar drejtësinë në Prishtinë. Studimet post-diplomike në fushën e drejtësisë penale i ka ndjekur në universitetin britanik të Leichesterit dhe në Universitetin amerikan të Virxhinias. Ka ndjekur programet profesionale dhe studimore në Akademinë Nacionale të FBI-së në SHBA dhe në Departamentin e Drejtësisë në SHBA. I përket besimit mysliman. Para pak kohësh është martuar. Me burrin e saj dentist vazhdon të banojë në një apartman të marrë me qira në Prishtinë.

Intervistoi: Stanislava Bocanova, gazetare dhe ish-redaktore e MLADA FRONTA DNES

(Nga çekishtja: Albert Kuçi, student në vitin e fundit në studimet post-diplomike në marrëdhëniet ndërkombëtare në Universitetin e Pragës)

This site is registered on wpml.org as a development site.