presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga u takua me presidenten e Finlandës, zonjën Tarja Halonen

Vilnius, 30 qershor 2011 – Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, zhvilloi sot takim zyrtar, në margjinat e konferencës që po zhvillohet në Vilnius të Lituanisë, me Presidenten e Finlandës, Tarja Halonen.

Presidentet e të dyja vendeve diskutuan për bashkëpunimin e ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Finlandës dhe fuqizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre. Presidentja e Finlandës, zonja Tarja Halonen, tha se vendi i saj e ka mbështetur Kosovën dhe do të vazhdojë ta ndihmojë atë në rrugën e saj të integrimeve evropiane. Ajo tha se BE-ja është e përkushtuar që i gjithë Ballkani të bëhet pjesë e familjes evropiane, përmes përmbushjes së standardeve të përcaktuara, që janë të rëndësishme për anëtarësim në BE.. Presidentja Halonen tha se ndërtimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore në Ballkan është i rëndësishëm për rrugën e integrimeve evropiane. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e vlerësoi ndihmën dhe kontributin që Finlanda ka dhënë dhe vazhdon të japë për Kosovën. Ajo e njoftoi presidenten finlandeze për nismën për krijimin e grupit “Miqtë e Kosovës”, ku do të përfshihet edhe ish-presidenti finlandez Martti Ahtisari, dhe i cili grup do të ndihmojë në prezantimin e Kosovës në botë. Presidentja Jahjaga tha se njohjet e reja për Kosovën do ta ndihmonin atë në rrugën e saj drejt integrimeve dhe në veçanti këtë do ta ndihmonte njohja nga pesë vendet e BE-së që ende nuk e kanë pranuar Kosovën. Ajo tha se marrëveshja kontraktuale me BE-në do të përshpejtonte reformat e brendshme dhe do të hapte perspektivën evropiane për Kosovën. Presidentja Jahjaga tha se BE-ja duhet të hapë mundësitë për qytetarët e Kosovës, duke i ofruar vendit udhërrëfyesin për liberalizim të vizave. Ajo tha se dialogu me Republikën e Serbisë duhet të ketë sukses dhe se zgjidhjet duhet të jenë evropiane, që do të ndihmojnë të dyja vendet në rrugën e tyre drejt integrimeve evropiane njëkohësisht.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.