presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, gjatë vizitës së tij në Kosovë.

Presidentja Jahjaga e falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm Ban Ki Moon për angazhimin personal të tij për Kosovën dhe për proceset demokratike të vendit. Ajo e vlerësoi punën dhe ndihmën e misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, posaçërisht në periudhën e rindërtimit, të tranzicionit dhe të shtetndërtimit.
 
Mandati i KB në Kosovë është një nga mandatet më të suksesshme në gjithë historinë e Kombeve të Bashkuara dhe është një nga misionet më të pranuara nga populli dhe nga të gjithë qytetarët. Ndihma e UNMIK-ut, sidomos në periudhën e parë të tranzicionit, ka qenë e vlerësuar lartë dhe merita u takon gjithë atyre burrave dhe grave nga të gjitha vendet që kanë shërbyer këtu nën ombrellën e OKB-së.
 
Ajo që po shihni sot – Republikën e Kosovës shtet sovran dhe të pavarur, faktor paqeje dhe stabiliteti, shtet qytetar në të cilin të gjithë njerëzit pa dallim i kanë të drejtat dhe liritë e barabarta, është sukses i përbashkët i neve dhe juve.
 
Që nga fillimi të dyja palët kemi qenë të vetëdijshme se misioni nuk është këtu për vetveten, por se ai ka krijuar rrethanat e deklarimit të vullnetit të lirë të popullit për të ndërtuar të ardhmen e vet.
 
Ky vullnet u pranua nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë, e cila u shpreh se është në harmoni të plotë me Rezolutën 1244 të KS të OKB-së të 10 Qershorit 1999 dhe me ligjet ndërkombëtare.
 
Presidentja Jahjaga tha se Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik, i ndërtuar mbi parimin qytetar dhe ky është sukses i përbashkët i bashkësisë ndërkombëtare dhe i qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës.
 
Presidentja Jahjaga theksoi se faza e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovë do të përfundojë me sukses së shpejti dhe prania ndërkombëtare do të vazhdojë përmes misionit të EULEX-it në fushën e drejtësisë dhe policisë. Dhe për një prezencë simbolike të Misionit të OKB, i cili ka një rëndësi sidomos për raportet e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe për debatet në KS të OKB, sepse paraqiten përparimet reale të shoqërisë kosovare.
 
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka bërë përparime në procesin e integrimit dhe të pajtimit, megjithëse tha se ky proces është i gjatë, por komunitetet pakicë tashmë janë inkuadruar dhe japin kontribut të jashtëzakonshëm në institucionet e vendit në të gjitha nivelet. Ajo tha se me Kushtetutë Kosova garanton ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore e fetare të të gjitha grupeve etnike.
 
Duke folur për proceset integruese të vendit, Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova i takon Evropës dhe anëtarësimi në BE në NATO dhe në OKB është mënyra më e mirë për të kryer reformat demokratike në vend.
 
“Integrimi në BE do të na ndihmojë që njëherë e përgjithmonë ta lëmë të kaluarën dhe të bashkohemi rreth së ardhmes sonë të përbashkët si vende të pavarura. Ky do të ishte garantuesi më i mirë që paqja të triumfojë në rajon”, tha Presidentja Jahjaga.
 
Ajo foli edhe për dialogun ndërmjet Kosovës dhe  Serbisë, të cilin e cilësoi si mënyrën më të mirë për të normalizuar marrëdhëniet në rajon dhe për të vendosur politikat e fqinjësisë së mirë. Presidentja Jahjaga tha se Republika e Serbisë duhet të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, sepse ato lehtësojnë jetën e qytetarëve të të dyja vendeve.
 
Duke folur për gjendjen në tri komunat në veri të Kosovës, Presidentja Jahjaga theksoi se veprimi i strukturave ilegale dhe kriminale në këtë pjesë të vendit, tha se këto struktura ilegale po mbajnë peng edhe qytetarët e zakonshëm serbë në këtë pjesë të vendit. Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që të punojnë së bashku me partnerët ndërkombëtarë për t’iu ofruar qytetarëve serbë të Kosovës dhe të bisedojnë me ta për zgjidhjen e të gjitha çështjeve.
 
“Nuk ka alternativë tjetër përveç zhbërjes së strukturave ilegale dhe kriminale në tri komunat në veri të Kosovës, që tentojnë të mbajnë peng stabilitetin e plotë të vendit dhe që minojnë përparimin e përgjithshëm të arritur në rajon”, tha Presidentja Jahjaga.
 
Presidentja Jahjaga kërkoi ndihmën dhe angazhimin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, për fatin e të cilëve nuk dihet që prej 13 vjetësh. .
 
Në fund të fjalës së saj Presidentja Jahjaga e falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm, Ban Ki Moon, për angazhimin e tij personal “dhe duke e përmendur edhe një herë se ky është një sukses i përbashkët i yni që e çon vendin përpara, që i çon proceset përpara”.
 
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon e falënderoi Presidenten për pritjen dhe vlerësoi të arriturat e Kosovës. Ai tha se që nga fillimi i mandatit të tij më 2007, Kosova ka qenë në fokusin e përkushtimit të tij. Ai tha se i gjithë rajoni duhet të shikojë kah integrimet euroatlantike dhe të punojë më shumë në ruajtjen e stabilitetit dhe të paqes. Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki Moon, tha se progresi i arritur në dialogun në mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të avancohet dhe të thellohet.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.