presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentët Jahjaga, Vujanoviq, Topi e Ivanov mbajtën konferencë të përbashkët për media

Ohër, 12 korrik 2011 – Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bamir Topi, Presidenti i Republikës së Malit të Zi, Filip Vujanoviq, dhe nikoqiri i samitit, Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, mbajtën një konferencë për media, në përmbyllje të Samitit të katër presidentëve në Ohër të Maqedonisë.

Duke folur në këtë konferencë, Presidentja Jahjaga falënderoi Presidentin Ivanov për organizimin shumë të mirë të samitit, si dhe e uroi atë për 20-vjetorin e Republikës së Maqedonisë.
 
Shpresoj se ky samit tradicional i presidentëve të katër shteteve fqinje të Ballkanit, nuk do të mbetet vetëm në këtë nivel, por do të zgjerohet edhe më shumë, me përfaqësime më të mëdha të shteteve të tjera. Unë i inkurajoj dhe është në interesin e të gjitha vendeve që ky bashkëpunim të zgjerohet edhe më shumë, theksoi Presidentja Jahjaga.
 
Gjatë takimit ne shtruam dhe diskutuam një varg çështjesh që hyjnë në përparimin e bashkëpunimit të gjithanshëm dypalësh dhe shumëpalësh të vendeve që ishin të përfaqësuara në samit, shtoi ajo.
 
Vendet dhe popujt që ne përfaqësojmë, tha Presidentja Jahjaga, janë të orientuara që të bashkëpunojnë mes vete, drejt arritjes së agjendave tona të përbashkëta, për integrim të plotë në Bashkimin Evropian. Shtetet kanë shprehur gatishmërinë që të ndihmojnë njëra-tjetrën në harmonizimin e legjislacionit dhe për plotësimin e të gjitha parakushteve të tjera, që hyjnë në kuadër të agjendës së integrimeve evropiane. Kjo vendos një bazë të mirë që këto vende të rajonit të bëhen faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit. Po ashtu, krijon kushtet për lëvizjen e lirë të njerëzve, të ideve dhe të kapitalit. Mbetet përgjegjësi e qeverive që nga ky vullnet i yni si përfaqësues të katër shteteve të zhvillohen legjislacioni dhe marrëveshjet konkrete për të cilat diskutuam.
 
Është evidente që disa vende kanë pasur progres të caktuar në fusha të caktuara sa i përket arritjes së standardeve dhe kushteve të nevojshme për integrime evropiane. Mirëpo, nuk është në interes të askujt që ndonjë nga vendet tona të mbetet prapa në procesin e integrimeve evropiane, sepse ne si popuj dhe si vende jemi të ndërlidhur mes vete, si arterie kyçe në ndërlidhjen mes lindjes dhe perëndimit, theksoi Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga.
 
Më pas, Presidentja Jahjaga u përgjigj edhe në një pyetje në lidhje me investimet e përbashkëta rajonale në projekte të ndryshme, sidomos për lidhshmëri më të mirë energjetike dhe në infrastrukturë rrugore.
 
Temat dominonte që u diskutuan në kuadër të samitit ishin në kornizën e bashkëpunimit rajonal, sidomos në fushën e zhvillimit ekonomik dhe të shkëmbimeve të tjera që janë në interes të investimeve të përbashkëta në mes të shteteve të rajonit.
Ne kemi të përbashkëta fazën e tranzicionit, që është një dekadë apo më shumë se një dekadë dhe dallon nga vendet e ndryshme, theksoi Presidentja Jahjaga.
 
Çështja e zhvillimit ekonomik dhe reformave ekonomike brenda shteteve të caktuara është një ndër parakushtet themelore që kërkohet dhe në bazë të standardeve evropiane dhe integrimet evropiane, tha ajo.
 
Presidentja Jahjaga tha se në takimin e sotëm kanë diskutuar edhe për zonat e lira ekonomike, që mund të jenë në territor të dy apo më shumë shteteve. Po ashtu, janë diskutuar mundësitë për investime në projektet e përbashkëta.
 
Shembull i mirë janë autostradat që lidhin disa shtete. Shembull të mirë e kemi autostradën që lidh Kosovën me Shqipërinë, si dhe çështja e rëndësisë së madhe të ndërlidhjes me korridoret ndërkombëtare, korridorin 8 dhe korridorin 10 dhe rëndësia e ndërlidhjes në magjistralen e Adriatikut, që është një investim shumë i madh që nuk mund të iniciohet vetëm nga një shtet, por nga disa shtete që kanë interes prej saj, tha Presidentja Jahjaga, duke përmendur në këtë rast gjithashtu shembullin e hekurudhave ndërkombëtare, ndërlidhjen me portet detare dhe me linjat e hekurudhave transnacionale, që duhet domosdo të ndërlidhen me këtë aspekt, sikur edhe projektet energjetike të shfrytëzimit të ujit, të thëngjillit, gazit, të erës, si dhe burimeve të tjera të resurseve energjetike.
 
Presidentja Jahjaga u përgjigj edhe në një pyetje në lidhje me pozitën e komunitetit malazez në vendin tonë.
 
Kosova në këto vitet e fundit, pas përfundimit të luftës, ka qenë një shembull i mirë i inkorporimit dhe përfaqësimit të komuniteteve në të gjitha institucionet vendore dhe kjo është e përcaktuar edhe me kushtetutë dhe ligjet e Republikës së Kosovës, tha Presidentja Jahjaga.
 
Në takimin me Presidentin Vujanoviq, unë pata kënaqësinë që ta njoftoj që para dy muajsh në Parlamentin e Republikës së Kosovës është aprovuar ligji me të cilin njihet minoriteti malazez. Tani ne jemi në proces të rishqyrtimit të Kushtetutës dhe kjo do të shkojë me automatizëm, do të rregullohet çështja e përfaqësimit të këtij minoriteti në kuadër të Kushtetutës, dokumentit kryesor i rregullimit të shtetit tonë, tha Presidentja.
 
Në kuadër të Zyrës së Presidentit të Republikës së Kosovës funksionon Këshilli Konsultativ për Komunitete, që besoj se është shembull i vetëm në rajon, që përfshin të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Në këtë komunitet është përfaqësuesi i komunitet malazez, që do të jetë një aset shtesë që do t’i prezantojë të gjitha brengat dhe problemet e minoritetit malazez që është në Kosovë dhe është një zë më shumë në kuadër të këtij komuniteti, tha Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga.
 
Pas përmbylljes së Samitit të Ohrit, Presidentja Atifete Jahjaga u kthye në Prishtinë. 

This site is registered on wpml.org as a development site.