presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Jahjaga me rastin e hapjes së punimeve të konferencës “Gërmia Hill”

Ju përshëndes dhe dëshiroj sukses në punën e konferencës duke dashur që Kosova të krijoj një traditë në mbledhjen e ekspertëve dhe zyrtarëve nga rajoni dhe më gjerë që në një atmosferë të debatit konstruktiv dhe të këmbimit të mendimeve dhe të përvojave të ofrojmë modele, të gjejmë zgjidhje që na ndihmojnë në kapërcimin e sfidave të së ardhmes dhe të krijojmë një bashkëpunim të mirëfilltë dhe të sinqertë ndërmjet vendeve dhe popujve tanë.

I nderuari ministër Hoxhaj, Të nderuar udhëheqës të institucioneve të Republikës së Kosovës, Ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,Të nderuar pjesëmarrës të konferencës,Zonja dhe zotërinj, Ju përshëndes dhe dëshiroj sukses në punën e konferencës duke dashur që Kosova të krijoj një traditë në mbledhjen e ekspertëve dhe zyrtarëve nga rajoni dhe më gjerë që në një atmosferë të debatit konstruktiv dhe të këmbimit të mendimeve dhe të përvojave  të ofrojmë modele, të gjejmë zgjidhje që na ndihmojnë në kapërcimin e sfidave të së ardhmes dhe të krijojmë një bashkëpunim të mirëfilltë dhe të sinqertë ndërmjet vendeve dhe popujve tanë. Duke qenë vatra e fundit e luftës në Ballkan dhe rrëfimi më i madh i suksesit të përbashkët vendas, rajonal e ndërkombëtar që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore, Kosova e ka të freskët përvojën e veprimit multilateral dhe bashkëpunimit të ngushtë amerikano-evropian në parandalimin e gjenocidit, vendosjen e paqes dhe tash së fundi në procesin e shtet-ndërtimit.  Historia më e re e Kosovës në këto dymbëdhjetë vitet e fundit të angazhimit ndërkombëtar, me prani vendimtare të SHBA-ve dhe shteteve kyçe evropiane, më së miri dëshmon suksesin e bashkërendimit trans-atlantik dhe mundësinë që politika e koordinuar u ka dhënë shteteve të Evropës Juglindore në përgjithësi dhe Ballkanit në veçanti.  Bashkëdyzimi i vlerave perëndimore, i vizionit të gjeneratave të tëra të liderëve amerikanë për një Evropë të bashkuar dhe në paqe dhe i fuqisë transformuese që e definon Bashkimin Evropian, si dhe i resurseve që gjenden në dy anët e Atlantikut, ka arritur që të shndërrojë një situatë shpesh të pashpresë në një mundësi të re dhe tërësisht unike për stabilitet dhe demokraci të qëndrueshme në Evropën Juglindore. Është pikërisht ky bashkëpunim që shpeshherë manifestohet si shtytje ndaj shteteve të Evropës Juglindore që sot ka inkurajuar vendet e dala nga shpërbërja e Jugosllavisë dhe popujt e cfilitur nga luftërat – përfshirë edhe Kosovën – që në kuadër të realizimit të qëllimit për Evropën e bashkuar dhe në paqe dhe premtimit të integrimit për të arritur prosperitetin e përgjithshëm shoqëror t’i joshë popujt e kësaj pjese të Evropës që t’i tejkalojnë animozitetet dhe të bashkohen rishtas përreth këtij vizioni. Në këtë epokë të integrimit dhe pjesëmarrjes ky vizion është e një rëndësie jetike si një nga prioritet në të ardhmen e marrëdhënieve transatlantike në rajon.  Realizimi i paqes së qëndrueshme, demokracisë së mirëfilltë dhe krijimi i shoqërive gjithëpërfshirëse është ngushtë i lidhur me integrimin e plotë të vendeve të Evropës Juglindore në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Ky projekt  përcakton jo vetëm të ardhmen e marrëdhënieve transatlantike në rajon që është edhe pikënisja e tyre, por edhe vet suksesin e këtij bashkëpunimi në Azi, Lindje të Mesme dhe Afrikë. Këto dy unione shtetesh që ndajnë përkushtimin ndaj vlerave të përbashkëta, do t’u ndihmojnë armiqve të djeshëm të krijojnë ndërvarësi ekonomike, lidhshmëri të tregjeve dhe resurseve dhe ndërtim të politikave të përbashkëta që do mënjanojnë  gjasat për ide hegjemoniste dhe agresion ndaj fqinjëve, Ato do realizojnë njërin ndër qëllimet kryesore për të cilin u themeluan: ta bëjnë luftën në koncept të paqëndrueshëm. Integrimi ynë si rajon në BE dhe në NATO gjithashtu do të ndihmojë reformimin tonë shoqëror, synime këto të përbashkëta të shteteve të rajonit dhe pritje të aleancës transatlantike nga ne. Të nderuar pjesëmarrës, Ne popujt dhe vendet e rajonit sot e kemi rastin  e papërsëritshëm që t’i normalizojmë të gjitha marrëdhëniet për një fqinjësi te mirë dhe që të punojmë së bashku në rrugën e integrimeve tona evropiane. Duke pasur kufij të hapur, duke zhvilluar bashkëpunim të ngushtë në të gjitha fushat  dhe duke siguruar një qarkullim të lirë e të papenguar, që është në të mirën e të gjithë qytetarëve. Republika e Kosovës  tashmë ka nisur një proces dialogu me Republikën e Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të mbështetur fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i cili do të përfundojë me normalizimin  e plotë të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve tona të pavarura e sovrane, me respektim të integritetit territorial dhe parimit të mosndryshimit të kufijve, dhe duke sanuar pasojat e luftës. Republika e Kosovës është e përkushtuar për dialogun si rrugën e vetme për normalizimin e marrëdhënieve dhe të zgjidhjes së të gjitha çështjeve. Kjo rrugë nuk ka alternativë. Ne besojmë që koha e hegjemonizmit dhe e imponimit të koncepteve politike nëpërmjet dhunës tashmë përgjithmonë ka përfunduar. Vetëm duke qenë të lirë dhe të barabartë mund të ecim bashkërisht përpara. Si rajon, sot kemi një rast të papërsëritshëm që të bashkohemi rreth përmbushjes së qëllimeve tona të përbashkëta, duke e ndihmuar njëri tjetrin dhe jo duke e penguar. Si shtete, sot kemi një mundësi që se kemi pasur me herët, që të zgjedhim të jetojmë të rrethuar me fqinj me marrëdhënie të normalizuara dhe me të cilët bashkëpunojmë në ndërtimin e politikave të fqinjësisë së mirë, si vende të pavarura dhe sovrane, të pa hamendur në përcaktimin tonë për t’u integruar në Bashkimin Evropian dhe NATO, sepse vetëm ashtu mund të dalim nga varfëria  ekonomik dhe qarku vicioz i urrejtjes dhe dhunës që ka mbizotëruar me dekada në këtë rajon. Është pikërisht kjo qasje që ne si spektër politik dhe institucione të Republikës së Kosovës e kemi adoptuar sepse besojmë fuqimisht në të qenurit pjesë e këtij procesi integrues dhe kësaj epoke partneriteti që do të ndihmojë mirëqenien e qytetarëve dhe do të garantojë një të ardhme paqësore për gjeneratat e ardhshme. Ju faleminderit dhe ju dëshiroj sukses ne punimet e kësaj konference!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.