Zotëria i Parë z. Prindon Sadriu ka pritur në takim Zonjën e Parë të Shqipërisë, znj. Armanda Begaj

Me ftesë të Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, i shoqëruar nga Zonja e Parë Armanda Begaj po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.
Në kuadër të kësaj vizite Zotëria i Parë, z. Prindon Sadriu dhe Zonja e Parë, znj. Armanda Begaj, kanë zhvilluar një sërë aktivitetesh të përbashkëta.

Fillimisht z. Sadriu dhe znj. Begaj, kanë zhvilluar takim të përbashkët ku kanë diskutuar për raportet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe për lidhjet ndërmjet të dy vendeve.

Gjatë ditës Zotëria i Parë, Prindon Sadriu dhe Zonja e Parë, Armanda Begaj kanë bërë nderime tek memoriali “Heroinat”. Në vazhdën e vizitës, z. Sadriu dhe zonja Begaj, kanë vizituar organizatën “Bonevet”, me ç’rast janë takuar me stafin e kësaj organizate dhe me fëmijët që  vijojnë klasat inovative.

Më pas gjatë ditës, Zonja Begaj ka vizituar Shoqatën “Down Syndrome Kosova”. Ajo është pritur nga drejtoresha e kësaj Shoqate, si dhe është takuar me fëmijët e grupmoshave të ndryshme, duke përcjellë nga afër angazhimet dhe aktivitetet e tyre, por njëkohësisht edhe punën e specialistëve që punojnë me këta fëmijë. 

Ndërkaq, më pas ka vizituar Muzeun Etnologjik, ku u janë prezantuar portrete të jetës politike, kulturore dhe sociale të shekullit të XIX në Shqipëri.  Gjatë ditës, znj. Armanda Begaj dhe Presidenti Begaj kanë bërë homazhe tek varri i ish-Presidentit dr. Ibrahim Rugova dhe tek memoriali i familjes Jashari në Prekaz.

Zotëria i Parë Sadriu dhe Zonja e Parë Begaj kanë marrë pjesë edhe në darkën shtetërore të shtruar nga Presidentja Osmani për nder të vizitës së Presidentit Begaj.