U.d. Presidentja takon Ambasadorin e Turqisë

U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani Sadriu, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, z. Cagri Sakar. U.d. Presidentja Osmani dhe Ambasadori Sakar diskutuan për raportet bilaterale mes dy shteteve, duke potencuar bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe raportet e mira mes shteteve.

Presidentja në detyrë është shprehur falënderuese për ndihmën që shteti turk i ka ofruar Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj në fusha të ndryshme, e sidomos tash së fundmi përgjatë pandemisë. Ajo ka theksuar faktin se Turqia ka ofruar ndihmë në trajtimin e pacientëve në faza të ndryshme që ka qenë ndihmë e madhe për Kosovën.


Ambasadori Sakar ka uruar u.d. Presidenten për rezultatin e arritur në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke konstatuar se vullneti i qytetarëve të Republikës së Kosovës është i qartë dhe se i njëjti duhet të jetësohet përmes krijimit të institucioneve të reja.