U.d. Presidentja Osmani dekoroi me Medaljen Presidenciale të Meritave regjisoren Blerta Basholli

Pas suksesit të trefishtë të arritur në festivalin ndërkombëtar të filmit “Sundance Film Festival”, për nder të 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, u.d. Presidentja Vjosa Osmani e dekoroi me Medaljen Presidenciale të Meritave regjisoren znj. Blerta Basholli.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, u.d. Osmani e përgëzoi znj. Basholli për suksesin e arritur në një prej festivaleve më prestigjioze ndërkombëtare si dhe për përfaqësimin dinjitoz të vendit tonë në skenën ndërkombëtare të filmit.


U.d. Presidentja Osmani tha “Puna që e keni bërë ju dhe kolegët tuaj ndër vite për tregimin e historisë së Kosovës përtej kufijve tanë është për t’u admiruar. Të gjithë në Kosovë krenohemi me të arriturat tuaja dhe ju falënderohemi për kontributin e veçantë që po e bëni drejt krijimit të një imazhi të ri për vendin tonë”.


Me këtë rast, u.d. Presidentja Osmani theksoi që mbështetja për komunitetin artistik do të zë një vëmendje të veçantë, dhe që puna, angazhimi dhe zelli i komunitetit artistik duhet të jetë referencë edhe për politikbërjen në vend.