U.d presidenti Konjufca: Gjaku i të rënëve të Krushës së Madhe dhe Krushës së Vogël qëndron në themelet e shtetit tonë

U.d Presidenti i Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, gjatë ditës së sotme ka bërë homazhe në Krushë të Madhe dhe në Krushë të Vogël.

U.d presidenti Konjufca ka thënë se sa herë vijmë këtu e kuptojmë edhe më mirë që Kosova i ka tri plagë, e që sipas tij, çka është më e keqja, janë plagë të hapura të Republikës së Kosovës dhe të popullit të saj.


“Plaga e parë është vet masakra që ka ndodhë. Populli këtu, krushianët e kanë përjetuar tmerrin në një masakër e cila ka lënë qindra e qindra të vdekur. Plaga e dytë është që këtu ka edhe varreza të zbrazëta. Disa prej varrezave janë të zbrazëta, që na e kujton edhe njëherë se Serbia i ka rrëmbyer më të dashurit tanë dhe familjarët tanë dhe nuk i ka kthyer kurrë. Fati i tyre ende nuk është zbardhur, dhe kjo është një plagë e hapur në trupin e shtetit tonë, të populli tonë.  Plaga e tretë do të thoja që është drejtësia e munguar. Nuk ka pasur drejtësi kurrë për familjarët të cilët i humbën më të dashurit e tyre, ata u masakruan, u rrëmbyen, nuk dihet për një pjesë të tyre, për fatin e tyre dhe familjaret tash e 22 vite prej asaj date jetojnë për çdo ditë me peshën, e me vuajtjen e rëndë për fatin e pazbardhur të familjarëve të tyre”, ka thënë u.d presidenti.


Ai ka kujtuar edhe intelektualin e patriotin e madh, Ukshin Hoti, “Të mos harrojmë që njëri prej personaliteteve më të shquara te kombit shqiptar ka lindur këtu, është vendlindja e tij dhe po atë fat e ka pas edhe ai, po flas për intelektualin e patriotin tonë të madh Ukshin Hoti, i cili u zhduk në muajin maj të vitit 1999 prej forcave policore të Serbisë, dhe që prej asaj date nuk dihet gjë për fatin e tij. Institucionet duhet të bëjnë dukshëm më shumë se që kanë bërë përpara për të gjitha këto që i thash, duke e përfshirë edhe zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit”, ka theskuar u.d presidenti Konjufca.


Sipas tij gjaku i të rënëve të Krushës së Madhe dhe të Krushës së Vogël qëndron në themelet e shtetit tonë, qëndron në themelet e lirisë të Republikës së Kosovë.


U.d presidenti Konjufca ka bërë homazhe edhe në Krushë të Vogël, në nderim të martirëve të rënë në masakrën e cila u krye prej forcave policore ushtarake dhe paramilitare të Serbisë, në mars të vitit 1999.


U.d presidenti ka thënë se Serbia absolutisht nuk e ka marrë dënimin e merituar si shtet për të gjitha ato veprime gjenocidale, gjenocidin që e ka bërë në Kosovë gjatë luftës së fundit të viteve 98-99.


“Në Serbi jo vetëm që mijëra kriminel të luftës janë të lirë e të padënuar, të patrajtuar nga drejtësia, por çka është më e keqja përmes politikës së sotme të cilën po e zhvillojnë përfaqësuesit shtetëror të Serbisë, po na tregojnë që Serbia në masë të madhe nuk është shkëputur nga ajo logjikë e atij pushteti e cila e ka shkaktuar gjenocidin në Kosovë gjatë luftës së fundit”, ka thënë ai.


Sipas tij, edhe veprimet e institucioneve tona kane shkaktuar pakënaqësi të mëdha ndonjëherë te familjarët e të rënëve të masakrës së Krushës së Vogël.


“Për shembull, përgjysmimi i dënimit të njërit prej kriminelëve të luftës, i cili është dënuar prej gjykatave tona për pjesëmarrje aktive në masakrën e Krushës së Vogël, ka shkaktuar indinjatë të thellë te i gjithë populli i Kosovës, por në veçanti te familjarët të cilët i kanë humbur më të dashurit e tyre gjatë kësaj masakre. Ky nuk ka qenë aspak një sinjal i mirë prej anës së institucioneve tona që rastet e krimeve të luftës do të ndiqen dhe do të dënohen”, ka thënë u.d presdienti.


U.d presidenti Konjufca, duke ju bërë thirrje institucioneve tona, sistemit tonë të drejtësisë, ka thënë se “tash të gjithë e dinë se nuk ka asnjë pengesë shteti i Kosovës, gjykatat tona për t'i ndjekur, dhe për t'i dënuar ashtu siç e meritojnë të gjithë akterët si përfaqësues të ushtrisë, të policisë dhe të paramilitarëve serbë të cilët kanë kryer masakra gjatë luftës në Kosovë”.