U.d. Presidenti Glauk Konjufca ia dorëzoi detyrën Presidentes Vjosa Osmani

Në një ceremoni të zhvilluar në Presidencën e Kosovës, u.d. Presidenti Glauk Konjufca, sonte ia ka dorëzuar detyrën Presidentes Vjosa Osmani.

Zoti Konjufca, njëherësh Kryetar i Kuvendit të Kosovës, e ka përgëzuar Presidenten Osmani për detyrën e re, duke i uruar sukses dhe duke shprehur gatishmëri për bashkëpunim ndërinstitucional.


“Duke e njohur nga afër Vjosa Osmanin- Sadriun, e cila u zgjodh Presidente e Republikës së Kosovës prej deputetëve sot, nuk kam dyshim që këtë përgjegjësi që po e merr do ta kryej me nderin dhe me respektin më të lartë për popullin të cilin ajo e përfaqëson. Presidente urime detyra e re. Unë si kryetar i Parlamentit të Republikës së Kosovës do të jem në një bashkëpunim shumë të ngushtë me juve gjithmonë për të mirën e qytetarëve të Kosovës dhe për mbrojtjen e interesave të shtetit tonë”, ka theksuar z.Konjufca.


Ndërkaq Presidentja Osmani, gjithashtu ka falënderuar z.Konjufca për punët e bëra deri tashti në Presidencë dhe ka theksuar se bashkëpunimi

ndërmjet të dy institucioneve do të thellohet.


“Ashtu siç e thash në adresimin tim në Kuvend, dera e këtij institucioni do të jetë e hapur për të githë, do të jem presidente të gjithë qytetarëve tanë dhe bashkëpunuese me të gjitha partitë politike, me shoqërinë civile, me mediat dhe të gjithë qytetarët tanë në mënyrë që ta avancojmë Republikën tonë drejt interesave tona të përbashkëta e strategjike”, ka theksuar Presidentja Osmani.