U.d Presidenti dhe Nënkryetarja e Kuvendit bënë homazhe në Lybeniq të Pejës

U.d Presidenti i Republikës së Kosovës, njëherësh edhe Kryetar i Kuvendit, Glauk Konjufca, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, kanë bërë sot homazhe në nderim të martirëve të Lybeniqit.

Fshati Lybeniq, gjatë luftës së fundit 98-99, ka përjetuar tri masakra të tmerrshme.


“Këtu janë mbi 80 qytetarë civilë, të paarmatosur, të pafajshëm që mizorisht janë vrarë e masakruar nga forcat policore, ushtarake e paramilitare të Serbisë”, ka thënë u.d Presidenti Glauk Konjufca, duke shtuar se deri më tani nuk është bërë asgjë nga ana e drejtësisë, që kriminelët serbë të marrin dënimin e merituar dhe që të zhdëmtohen  familjarët të cilët kanë humbur më të dashurit e tyre. 


“Asnjëherë të mos harrojmë se në këto masakra janë vrarë e masakruar nga forcat serbe edhe foshnja 18 muajshe, madje edhe gra shtatzëna. Kjo dëshmon për mizorinë dhe gjenocidin e Serbisë  mbi popullin shqiptar”, ka shtuar z.Konjufca.


Ai më tej ka thënë se plagët vazhdojnë të jenë të hapura, meqë ende ka shumë të pagjetur.


“Ka plagë të hapura, sepse Serbia nuk po tregon se ku i ka fshehur të zhdukurit. Ky është një krim i shumëfishtë nga ana e Serbisë. Pra, përveç që ka masakruar  rreth 14.000 civilë të pafajshëm, duke mos i kursyer fëmijët as gratë, Serbia i ka rrëmbyer trupat e tyre dhe  i ka djegur apo fshehur nëpër lokacione të ndryshme, disa nga të cilët janë gjetur këto ditët e fundit”, ka thënë u.d Presidenti. Në vazhdim ai ka shtuar se nuk duhet të ndalemi kurrë së kërkuari drejtësi, dënim të gjenocidit serb, si dhe kriminelët të mos shëtisin të lirë nëpër Serbi. “Dora e drejtësisë duhet t’i arrijë dhe t’i ndëshkojë të gjithë ata që janë përfshirë në këto krime”.


Ndërkaq, Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci, ka thënë se jo vetëm kjo ditë, por kemi pothuajse për çdo ditë përkujtime anembanë vendit, dhe se kjo tregon për përmasat e krimeve ndaj popullit tonë.


“Nuk është proces i lehtë, por duhet të sigurohemi që drejtësia të vihet në vend. Tek atëherë familjarët do të ndjehen më të lehtësuar për më të dashurit e tyre që dhanë jetën për lirinë tonë dhe shtetin e Kosovës. Do ta shtyejmë këtë çështje përpara”, ka premtuar nënkryetarja e Kuvendit, znj.Bogujevci.