U.d. e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani priti në takim ministrin e shëndetësisë Armend Zemaj

U.d. e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim ministrin e shëndetësisë Armend Zemaj, të shoqëruar edhe nga drejtori i Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik, Naser Ramadani.

Në takim u diskutua gjendja aktuale në sferën e menaxhimit të pandemisë Covid-19 si dhe mundësitë e koordinimit institucional.

U.d. Presidentja Osmani ka thënë se është i domosdoshëm koordinimi me Ministrinë e Shëndetësisë në kohën e emergjencës shëndetësore, duke rritur kujdesin dhe respektuar maksimalisht masat mbrojtëse ndaj Covid-19.

Ajo ka shfaqur gatishmërinë për të mbështetur Ministrinë e Shëndetësisë në nismat e saj që kanë për synim përballimin e pasojave nga pandemia.

Ndërkaq ministri Zemaj e ka njoftuar u.d. Presidenten për masat anticovid, duke paralajmëruar kategorizimin e komunave sipas numrit të banorëve të infektuar.

Ai ka thënë se vendimet e MSH-së do të jenë në përputhje me situatën në terren.