U. d presidentja Osmani takoi mërgatën në Zvicër

U. d Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani – Sadriu, me ftesë të Parlamentit zviceran po qëndron në vizitë në Zvicër.

U.d presidentja Osmani vizitën në Zvicër, e filloi me një takim me mërgatën, me ata që, sipas saj, sado që tashmë në këtë vend kanë ndërtuar shtëpinë e familjet e tyre, mendjen e zemrën e mbajnë gjithmonë pranë Kosovës sonë të dashur. 

“Nuk e përshkruaj dot me fjalë se çfarë nderi, privilegji e krenarie është të jesh në mesin e juristëve, mjekëve, shkencëtarëve, studiuesve, ndërmarrësve, artistëve, arkitektëve e profesionistëve të fushave nga më të ndryshme të cilët po shkëlqejnë në profesionet që kanë përzgjedhur e po japin kontribut të jashtëzakonshëm e përmbajtësor në shoqërinë zvicerane. Kishim aq shumë për të folur, por natyrshëm, fokusin e mbajtëm tek diskutimi i mënyrave të bashkëpunimit ku mërgata jonë nuk shihet më vetëm si burim i remitencave, por si burim i ideve, kompetencës dhe profesionalizmit, e për të cilat vlera vendi ynë ka nevojë tani më shumë se kurrë”, ka thënë u.d presidentja Osmani


Zonja Osmani ka thënë se të lësh vendin tënd për të shkuar në një vend të huaj e të përballen me sakrifica të shumta e gjithë familja  nuk është aspak e lehtë,  “Por, mërgatë e dashur, ju na keni dëshmuar që  sakrifica e puna e drejtë shpërblehet gjithmonë me të mirë. Dashurinë e madhe e të pa kusht që ju keni për Kosovën, do ta kthejmë shumë shpejtë në partneritet strategjik e projekte e angazhim konkret. Ju jam mirënjohëse secilit e secilës që pata kënaqësinë t’u takoj, e ndjesë të gjithë të tjerëve që për shkak të rregullave të pandemisë e kishim të pamundur t'u përshëndesim”, ka theksuar u.d presidentja Osmani. 


Gjatë ditës, u.d presidentja Osmani është takuar edhe me  znj. Ylfete Fanaj kryetare e parlamentit të Luzernit. 


U. d presidentja tha se ditën kur znj. Ylfete Fanaj u zgjodh kryetare e parlamentit të Luzernit e kur në Zvicër jehoi kënga "Moj e bukura More", do ta mbajmë në mend si ditë të veçantë në kapitullin e sukseseve gjithnjë në rritje të mërgatës sonë.

“Kënaqësi e jashtëzakonshme takimi me të sot. Shembull i një politikaneje moderne, të zellshme e që me përulje kontribuon në përmirësimin dhe avancimin e politikave në Zvicër për të gjitha komunitetet pa përjashtim”, ka thënë u.d presidentja Osmani.