Presidentja: Vizita nuk mund të përmbyllej pa një bashkëbisedim me bizneset gjermane

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në kuadër të vizitës zyrtare në Gjermani, ka takuar bizneset gjermane, akademikë, hulumtues, përfaqësues të shoqërisë civile e media.
Presidentja Osmani ka thënë se vizita nuk mund të përmbyllej pa një bashkëbisedim me bizneset gjermane, nisur nga fakti se Gjermania është investitori kryesor në vendin tonë dhe shkëmbimet tregtare ndërmjet vendeve tona po përjetojnë një hov të ndjeshëm.

“Pata kënaqësinë që së bashku me anëtarët e Shoqatës Gjermane të Bizneseve Lindore, Oda Ekonomike të shumta, përfaqësues të bizneseve e përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë e Energjisë, të flas për mundësitë për investime në fushën e IT-së, digjitalizimit, industrisë, energjisë dhe shëndetësisë. I sigurova ata se Kosova është e gatshme të jetë adresa e radhës e investimeve të tyre”, ka thënë Presidentja.

Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:

Takimet me bizneset gjermane, akademikë, hulumtues, përfaqësues të shoqërisë civile e media ishin pjesë e rëndësishme e vizitës sime zyrtare në Gjermani.

Vizita nuk mund të përmbyllej pa një bashkëbisedim me bizneset gjermane, nisur nga fakti se Gjermania është investitori kryesor në vendin tonë dhe shkëmbimet tregtare ndërmjet vendeve tona po përjetojnë një hov të ndjeshëm. Pata kënaqësinë që së bashku me anëtarët e Shoqatës Gjermane të Bizneseve Lindore, Oda Ekonomike të shumta, përfaqësues të bizneseve e përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë e Energjisë, të flas për mundësitë për investime në fushën e IT-së, digjitalizimit, industrisë, energjisë dhe shëndetësisë. I sigurova ata se Kosova është e gatshme të jetë adresa e radhës e investimeve të tyre.

Po ashtu, kisha kënaqësinë që në bashkëbisedim me ambasadorin Ëolfgang Ischinger, në kuadër të një diskutimi të organizuar nga Këshilli Gjerman për Marrëdhënie me Jashtë, të flasim për sfidat e deritashme të Republikës së Kosovës, për zhvillimet aktuale dhe mundësitë që i kemi përpara.

Për shtetndërtimin dhe konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës sonë fola edhe me akademikë e hulumtues në Universitetin Humboldt. Pas vizitës së ekspozitës "Standing for liberty", e cila në fokus kishte historitë e akademikëve e shkencëtarëve të persekutuar nga mbarë bota, fola edhe për rëndësinë që ka pas arsimimi në rezistencën e Kosovës ndaj terrorit dhe represionit të regjimit gjenocidal të Serbisë.