Presidentja: Rinia është fryma dhe themeli i Republikës sonë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, në Ditën Ndërkombëtare të Rinisë, ka pritur në takim disa të rinj të jashtëzakonshëm në fushën e arsimit.
“Matematicientët, juristët e shkencëtaret tanë të rinj po dëshmojnë vazhdimisht përgatitjen dhe talentin e tyre në gara ndërkombëtare duke e vënë Kosovën në ballë të këtyre arritjeve”, ka thënë Presidentja Osmani.

Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:

Rinia është fryma dhe themeli i Republikës sonë, prandaj në Ditën Ndërkombëtare të tyre, Presidenca ishte e nikoqire e disa të rinjve tanë të jashtëzakonshëm në fushën e arsimit.

Matematicientët, juristët e shkencëtaret tanë të rinj po dëshmojnë vazhdimisht përgatitjen dhe talentin e tyre në gara ndërkombëtare duke e vënë Kosovën në ballë të këtyre arritjeve.

Pavarësisht kufizimit në lëvizje, të rinjtë tanë si Andi, Arbeni, Arti, Besforti, Duarti, Ernesa, Endriti, Leka, Rinori, e shumë të tjerë, po dëshmojnë se me përkushtim e zell mund të arrihen suksese të mëdha përtej kufijve tanë dhe se meritojnë të ndjehen të barabartë me moshatarët e tyre anekënd Evropës.