Presidentja: Qytetarët e Kosovës janë ata që mundësojnë dhe mbrojnë çdo proces demokratik që ka të bëjë me jetën e tyre

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka votuar sot për zgjedhjet lokale në qendrën e votimit në Fakultetin Teknik, në Prishtinë.
Presidentja Osmani ka thënë se ky proces është tejet i rëndësishëm për jetën e qytetarëve tanë.

“Sot, qytetarët tanë pa dallim, në çdo cep të vendit tonë, në çdo komunë votojnë për kualitetin e jetës së tyre, votojnë për komuna të tyre, votojnë për udhëheqësin e cila do të  determinojë edhe mënyrën se si në katër vitet e tyre do të jetë jeta në komunat ku ata jetojnë”, ka thënë Presidentja Osmani. 

E para e vendit i ka ftuar qytetarët e Republikës së Kosovës që në numër sa më të madh të marrin pjesë në këtë proces zgjedhor. 

“I ftoj që në numër sa më të madh të marrin pjesë në këtë proces zgjedhor, ta dëshmojnë sërish se qytetarët e Kosovës janë ata që në radhët të parë e mundësojnë, e në radhë të dytë e mbrojnë çdo proces demokratik, çdo proces të lirë dhe të drejtë që ka të bëjë me jetën e tyre. Shpresoj që zgjedhjet sot të kalojnë pa asnjë incident”, ka theksuar Presidentja. 

Ajo iu ka uruar punë të mbarë mediave, si dhe ka bërë thirrje që të respektohen masat.  

“Është po ashtu me rëndësi që normalisht të dalin në numër sa më të madh, por në të njëjtën kohë që masat të respektohen në mënyrë që shëndeti i qytetarëve tanë të jetë prioritet mbi prioritetet”, ka thënë Presidentja Osmani.