Presidentja për aksidentin në Bullgari: Kosova vetëm pak kohë më parë e përjetoi një tragjedi të tillë dhe i di mirë përmasat e dhimbjeve të tilla

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave të aksidentit tragjik në Bullgari, në të cilin humbën jetën së paku 46 persona.
“Republika e Kosovës vetëm pak kohë më parë e përjetoi një tragjedi të tillë dhe i di mirë përmasat e dhimbjeve të tilla, por edhe nevojën për të reaguar shpejt, prandaj do t'u qëndrojmë afër vëllezërve e motrave tona si dhe miqve tanë në këto momente të vështira për ta”, ka theksuar Presidentja Osmani.
 
Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:
 
E trishtuar nga lajmi tragjik për përfshirjen nga flakët të një autobusi udhëtarësh nga Maqedonia e Veriut, në afërsi të Sofjes, në të cilin humbën jetën së paku 46 persona.
 
Në këtë moment pikëllimi të thellë, ndajmë dhimbjen me familjet e viktimave dhe lutemi për të mbijetuarit.
 
U shprehim ngushëllime të gjitha familjeve të bashkëkombasve tanë shqiptarë që humbën jetën si dhe gjithë popullit dhe autoriteteve të fqinjit tonë, Maqedonisë së Veriut, prej nga vinin shumica e udhëtarëve, si dhe atyre të Bullgarisë, në tokën e të cilëve ndodhi tragjedia.
 
Republika e Kosovës vetëm pak kohë më parë e përjetoi një tragjedi të tillë dhe i di mirë përmasat e dhimbjeve të tilla, por edhe nevojën për të reaguar shpejt, prandaj do t'u qëndrojmë afër vëllezërve e motrave tona si dhe miqve tanë në këto momente të vështira për ta.