Presidentja Osmani u takua me Kryetaren e Kuvendit të Lituanisë, znj. Viktorija Čmilytė-Nielsen

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në vazhdën e takimeve gjatë vizitës zyrtare në Lituani është pritur sot në takim nga Kryetarja e Kuvendit të Lituanisë, znj. Viktorija Čmilytė-Nielsen.
Të dy palët theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar. “Diplomacia parlamentare është mundësi e mirë për afirmimin e qëndrimeve tona të përbashkëta të cilat udhëhiqen nga vizioni ynë i përbashkët për një Evropë paqësore, demokratike dhe të sigurt”, ka theksuar Presidentja Osmani. Në takim, Presidentja Osmani ka thënë se Kosova është e interesuar të përfitojë nga përvoja e Lituanisë, veçanërisht sa i përket procesit të integrimit në BE.

Në këtë kontekst ka kërkuar vazhdimin e mbështetjes së Lituanisë në rrugën euro-atlantike të Kosovës, me theks të veçantë mbështetjen për anëtarësim në KE, NATO, si dhe organizata të tjera ndërkombëtare përmes mekanizmave të cilat parlamenti i ka në dispozicion.

Edhe në këtë takim, Presidentja Osmani ka folur rreth mbështetjes së Kosovës ndaj Ukrainës dhe për sanksionet ndaj Rusisë ndërkaq ka potencuar se Rusia vazhdon të tentojë destabilizimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Serbisë.