Presidentja Osmani takoi presidentin e Estonisë, Alar Karis

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë vizitës në New York është takuar me presidentin e Estonisë, Alar Karis.
Diskutimi u fokusua në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe, zhvillimet në rajon e më gjerë, si dhe bashkëpunimin e mëtejmë.

Presidentja Osmani e falënderoi homologun estonez për mbështetjen e vazhdueshme dhënë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare.

Në takim me presidentin Karis, Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e Kosovës për ta avancuar integrimin euroatlantik dhe në të njëjtën kohë shtroi nevojën e  përmbylljes urgjente të liberalizimit të vizave.

Ndërkaq sa i përket dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani theksoi se Kosova mbetet palë konstruktive në dialog, i cili synon një marrëveshje përfundimtare, të përqendruar në njohjen e ndërsjellë.

Në raport me luftën në Ukrainë, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova ka dënuar pa mëdyshje luftën e paprovokuar të Putinit kundër Ukrainës dhe se Kosova është plotësisht në linjë me sanksionet e BE-së dhe SHBA-së kundër Rusisë.

Në takim u diskutua edhe për mundësitë e bashkëpunimit strategjik në fushën e digjitalizimit.