Presidentja Osmani takoi përfaqësuesit e Rrjetit të të Drejtave të Njeriut

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, ka takuar përfaqësuesit e Rrjetit të të Drejtave të Njeriut, i cili përbëhet organizata të shoqërisë civile, të cilat avokojnë për të drejtat e grave, komuniteteve joshumicë, rinisë, personave LGBTI+ dhe personave me nevoja të veçanta.
Në takim u diskutua mbi situatën e të drejtave të njeriut në vend, nevojën për fuqizimin e grupeve të margjinalizuara, luftimin e diskriminimit si dhe zbatimin efektiv të kornizës ligjore. Përfaqësuesit e Rrjetit të të Drejtave të Njeriut prezantuan edhe rekomandimet e raportit të shoqërisë civile për të drejtat e njeriut, të cilat nënvizuan nevojën për të bërë përpjekje të përbashkëta për të garantuar barazi dhe siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Presidentja Osmani vlerësoi punën dhe angazhimin e vazhdueshëm të shoqërisë civile në promovimin dhe avancimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Sipas Presidentes Osmani përkushtimi i institucioneve të Republikës për fuqizimin e të drejtave të njeriut dhe përmirësimin e jetës së grupeve më të cenueshme të shoqërisë, janë reflektuar edhe në zotimet e ndërmarra në Samitin për Demokraci nga institucionet e Kosovës.