Presidentja Osmani takoi ministrin e Brendshëm të Portugalisë, Eduardo Cabrita

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e dytë të vizitës në Portugali, ka takuar ministrin e brendshëm Eduardo Cabrita dhe pjesëtarë të forcave të rendit të këtij shteti, të cilët kanë shërbyer në Kosovë.
Presidentja Osmani ka falënderuar ata për kontributin e dhënë, duke çmuar lart rolin e Portugalisë në angazhimin në Kosovë që nga viti 1999.
 
Ajo ka vlerësuar marrëdhëniet ndërmjet të dy shteteve, duke u angazhuar për hapjen e një kapitulli të ri bashkëpunimi. Presidentja Osmani ka theksuar se Policia e Kosovës në nivel ballkanik e ka besimin më të lartë të qytetarëve të Kosovës. Në këtë kontekst, Presidentja Osmani ka kërkuar nga ministri Cabrita të shkëmbehen përvojat, në mënyrë që Policia e Kosovës të përfitojë nga ajo portugeze.
 
Më tej, në këtë takim, Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova është e orientuar qartë në rrugën e saj evropiane dhe se synim primar mbetet anëtarësimi në BE, NATO, INTERPOL dhe organizata të tjera ndërkombëtare.
 
Presidentja Osmani e ka falënderuar Portugalinë që është zë i fuqishëm në përkrahje të liberalizimit të vizave dhe të procesit të anëtarësimit në organizata ndërkombëtare.