Presidentja Osmani: Protesta e 1 tetorit të vitit 1997, ishte paralajmërim i hershëm për lirinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu ka përkujtuar 25 vjetorin e protestave studentore të 1 tetorit të vitit 1997.
Presidentja Osmani ka thënë se 25 vjet më parë, ata nisën ndryshimin e historisë.

“Në krye me rektorin Ejup Statovci, studentët nisën rezistencën kundër padrejtësisë, refuzimin kundrejt dhunës dhe qëndresën kundër tiranisë”, ka thënë Presidentja Osmani.

Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:

25 vjet më parë, ata nisën ndryshimin e historisë. Protesta e 1 tetorit të vitit 1997, ishte paralajmërim i hershëm për lirinë.

Zëri protestues i studentëve ishte thirrje kundër diskriminimit të shqiptarëve nga regjimi gjenocidal serb jo vetëm në fushën e arsimit.

Në krye me rektorin Ejup Statovci, studentët nisën rezistencën kundër padrejtësisë, refuzimin kundrejt dhunës dhe qëndresën kundër tiranisë.

Protesta e 1 tetorit të vitit 1997 është simbolika më e fuqishme në luftën tonë për liri, referencë përmbajtësore për kauzën tonë kombëtare dhe ngjarja më e shndritshme në historinë tonë më të re.