Presidentja Osmani priti në takim presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor.
Duke bërë një retrospektivë të marrëdhënieve me shtetin slloven Presidentja Osmani i ka vlerësuar të shkëlqyeshme dhe ka theksuar se ato janë vazhdimësi që nga vitet e 90-ta, kur Sllovenia u rreshtua në krah të lëvizjes për pavarësinë e Kosovës. Mbështetja sllovene ndaj Kosovës, sipas Presidentes Osmani po vazhdon edhe më tej, teksa ka përmendur se përvoja sllovene mund ta ndihmojë vendin në rrugën euro-atlantike.
 
“Është kënaqësi që me miqtë tanë të kamotshëm të bashkëbisedojmë për zhvillimet jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajonin tonë. Siç e dini, raportet me Slloveninë që janë shumë miqësore, datojnë që nga vitet e 90-ta, një pjesë e aktivitetit politik të lëvizjes dhe përpjekjeve tona për pavarësi janë zhvilluar pikërisht në Slloveni, në kohë shumë të vështira për popullin tonë. Sllovenia ka mbështetur përpjekjet e Kosovës për pavarësi siç e ka mbështetur Kosovën edhe në fazën e pasluftës, qoftë me pjesëmarrje në KFOR nëpërmjet Forcave Ushtarake Sllovene, po ashtu edhe me shumë kontribut e përkrahje politike e diplomatike”, ka thënë Presidentja Osmani.  
 
Presidentja Osmani ka theksuar se Kosova pret ndihmën e Sllovenisë me lobim të vendet jonjohëse, duke ritheksuar synimin e Kosovës për anëtarësim në BE, NATO, si dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
 
“Natyrisht që Kosova e ka rrugën e saj të qartë e ajo është rruga e integrimit euroatlantik. Ne asnjëherë nuk kemi shikuar diku tjetër sepse për ne nuk ka alternativë tjetër përveç Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si dy organizma ku ne e kemi vendin dhe ku qytetarët e Kosovës kanë shprehur vullnetin e tyre të qartë. Megjithatë me duhet ta potencoj sërish që liberalizimi i vizave është vonuar për qytetarët e Kosovës dhe kjo e dëmton kredibilitetin e Bashkimit Evropian, prandaj ky liberalizim duhet të ndodh sa më parë dhe nuk ka arsye më për hezitime e për këtë gjë unë dua ta falënderoj Presidentin Pahor për mbështetjen e tij të fuqishme dhe natyrisht t’i kërkoj edhe përkrahje të mëtejme që të binden ato pak shtete të cilat mund të kenë hezitime sa i përket këtij procesi”, ka theksuar Presidentja.
Në takim  me homologun Pahor, Presidentja Osmani diskutoi edhe për  procesin e dialogut me Serbinë dhe zhvillimet e fundit në rajon. Sipas saj, Kosova është palë konstruktive dhe se rezultati i këtij dialogu duhet te jetë njohja e ndërsjell.
 
“Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, natyrisht që Republika e Kosovës gjithnjë ka qenë pala konstruktive në këtë proces, por përshtypja jonë është që Serbia nuk është e interesuar që të arrij një marrëveshje ligjërisht të obligueshme me Republikën e Kosovës dhe në këtë proces, po e përsëris që për Republikën e Kosovës ashtu siç është përmendur edhe nga Presidenti Biden e shumë miq tanë nëpër botë, njohja reciproke është ajo që duhet të jetë në qendër të këtij procesi”, ka shtuar Presidentja.
 
Ndërkaq në kontekstin rajonal, Presidentja Osmani ka veçuar tendecat për destabilizim nga shtrirja e ndikimit rus në rajon, sikurse edhe nga retorika nxitëse e Serbisë. Në këtë kontekst, Presidentja kërkoi që bashkësia ndërkombëtare t`i dënojë tendencat e tilla, sepse sipas saj ato janë në kundërshtim me vlerat që përfaqëson Bashkimi Evropian.
 
“Për fat të keq, fqinji ynë verior nuk e dëshiron një Ballkan perëndimor stabil dhe në paqe, prandaj edhe po përdor retorikë  dhe veprime të ndryshme të cilat po e destabilizojnë rajonin tonë. Për këtë, shpresojmë që Bashkimi Evropian do të jetë i qartë në raport me Serbinë dhe do të kërkoj që të ndërprejë edhe retorikën nxitëse por edhe veprimet destabilizuese jo vetëm në raport me Kosovën por edhe në raport me shtetet tjera të rajonit siç janë Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe shtetet e tjera të rajonit tonë. Për fat të keq Serbia po ashtu po vazhdon që nëpërmjet strukturave ilegale në veri të vendit tonë të destabilizoj Kosovën. Po ashtu rritja e ndikimit rusë paraqet një kërcënim për destabilizim të mëtejm të rajonit, sepse kjo rritje e ndikimit rusë asnjëherë nuk ka pasur qëllim të mirë, por ka qëllim që të luftojë sistemet e bazuara në vlera që janë NATO-ja dhe Bashkimi Evropian. Për t’i luftuar këto tendenca destabilizuese natyrisht që ne kemi nevojë për përkrahjen e miqve tanë, kemi nevojë për përkrahjen e Sllovenisë dhe Presidenti Pahor si një president që ka qenë i angazhuar në politikë qe 32 vite besoj e njeh shumë mirë rajonin tonë, por po ashtu edhe faktin se çka ndodh nëse nuk ndërhyhet me kohë për të ndalur tendencat autokratike e destabilizuese në rajonin tonë”, ka theksuar Presidentja Osmani.
  
Një pjesë e takimit iu kushtua edhe thellimit të bashkëpunimit ndërshtetëror, ku u veçua fusha e politikës së jashtme, mbrojtjes, shëndetësisë, shkëmbimit ekonomik, investimeve etj.