Presidentja Osmani priti në takim një grup vajzash e grash të komunitetit egjiptian

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në prag të 24 qershorit, ditës nacionale të komunitetit egjiptian, ka pritur një grup të grave të këtij komuniteti.
Presidentja Osmani ka theksuar se është fat i Kosovës që përbëhet nga një shoqëri diverse, pjesë e së cilës janë edhe vajzat dhe gratë egjiptiane, të cilat angazhohen aktivisht në avancimin e të drejtave të komunitetit.

“Komunitetet janë vlerë e shtuar e shoqërisë sonë, dhe duhet të bëjmë çmos që t’u garantojmë mundësi dhe trajtim të barabartë. Fuqizimi i gruas është prioritet për mua. Ofrimi i mundësive për punësim krijon jo vetëm pavarësi ekonomike, duke pasur parasysh faktin se roli i grave në shoqëri është i jashtëzakonshëm, në të gjitha fushat”, ka theksuar Presidentja Osmani. 

Në takim, Presidentja ka inkurajuar vajzat dhe gratë e komunitetit egjiptian që ta vazhdojnë angazhimin për fuqizimin e tyre.

“Si institucione të vendit, do të kujdesemi për qasje gjithëpërfshirëse dhe garantim të të drejtave tuaja. Përkrahja dhe fuqizimi i grave duhet të jetë angazhim i përbashkët në mënyrë që çdo qytetar të trajtohet me dinjitet dhe të jetë i barabartë”, ka thënë Presidentja Osmani në takim më vajza e gra të komunitetit egjiptian.