Presidentja Osmani priti në takim Koordinatoren e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu, priti sot në takim koordinatoren e Kombeve të Bashkuara për Zhvillim në Kosovë (UNKT), Arnhild Spence.
Me këtë rast, Presidentja Osmani e uroi znj. Spence për pozitën e re, duke i uruar sukses në angazhimin e saj. Presidentja Osmani potencoi se investimi në kapitalin njerëzor është prioritet i institucioneve të Republikës së Kosovës, dhe se angazhimi për avancimin e Agjendës së vitit 2030 dhe Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm mbetet përkushtim i vazhdueshëm.

Tutje, Presidentja Osmani shprehu mirënjohje për punën e Agjencive të KB-së të bazuara në Republikën e Kosovës, të cilat në bashkëpunim dhe koordinim të rregullt me institucionet vendore kanë kontribuar rregullisht në përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve të Kosovës.

Presidentja Osmani konfirmoi se angazhimi për fuqizimin e grave, avancimin e të drejtave për fëmijët me nevojat të veçanta, si dhe avancimi i agjendës së gjelbër, janë prioritete gjatë këtij mandati.

Duke diskutuar zhvillimet e fundit në rajon dhe në botë, palët diskutuan, po ashtu për bashkëpunim të rregullt në drejtim të ballafaqimit me krizën energjetike, si dhe, lehtësimin e barrës së qytetarëve si pasojë e zhvillimeve socio-ekonomike.