Presidentja Osmani priti në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, z. Nicholas Abbott

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani Sadriu, ka pritur sot në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Nicholas Abbott. Në takim me  ambasadorin Abbott, Presidentja Osmani ka diskutuar për zhvillimet e fundit në vend dhe për dialogun me Serbinë, duke shprehur qëndrimin dhe shqetësimet e Kosovës në këtë proces.

Presidentja dhe ambasadori diskutuan edhe bashkëpunimin e vazhdueshëm në mes të Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, me ç'rast Presidentja shprehu mirënjohjen e institucioneve të Kosovës për mbështetjen konsistente britanike.

Në takim, Presidentja Osmani ka përsëritur angazhimin proaktiv të institucioneve të Republikës për procesin e dialogut, të përqendruar në njohjen e ndërsjellë, si dhe rëndësinë e ruajtjes së paqes, sigurisë, sikurse edhe sundimit të ligjit në të gjithë territorin e shtetit.