Presidentja Osmani priti në takim ambasadoren e Finlandës në Kosovë, znj. Pia Stjernvall

Presidentja Vjosa Osmani priti sot në takim Ambasadoren e Finlandës në Republikën e Kosovës, znj. Pija Stjernvall, cila theksoi se pritshmëritë ndaj institucioneve të reja janë të mëdha, gjersa konfirmoi gatishmërinë e Finlandës për ta mbështetur Kosovën në rrugëtimin e saj përpara.

Presidentja Osmani e falënderoi Ambasadoren Stjernvall për mbështetjen e Finlandës gjer me tash, duke thënë që raportet në mes të dy vendeve janë të shkëlqyeshme dhe që qeverisja e re është e gatshme të punojë në thellimin  e tyre.

 

 

Palët diskutuan edhe për vaksinat dhe nevojën për mbështetje të të gjithë partnerëve për Kosovën në drejtim të sigurimit të vaksinave për qytetarët tanë. Presidentja Osmani tha se orientimi i Kosovës është i qartë.

 

 

“Edhe në këtë sfidë pandemike, orientimi properëndimor i Republikës së Kosovës ka qenë i paluhatshëm, dhe një qasje e tillë duhet të vlerësohet dhe jo të ndëshkohet”, ka potencuar Presidentja Osmani.

 

 

Në takim u diskutua edhe për procesin e dialogu me Serbinë, me ç’rast Presidentja Osmani theksoi se sigurimi i vaksinave është parakusht në mënyrë që institucionet të mund të angazhohen efektivisht në çfarëdo procesi tjetër, duke përfshirë edhe atë të dialogut. Sipas saj, në dialog shkohet për efektshmëri dhe arritje të rezultateve që përfundimisht do të ndikojnë në përmirësimin e jetës së qytetarëve.  

 

Të dyja palët konfirmuan gatishmërinë për zgjerim të bashkëpunimit dhe komunikim të rregullt për bashkërenditje të angazhimit në këtë drejtim.