Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani i pranoi sot letrat kredenciale nga ambasadori i Italisë në Kosovë, Antonello De Riu. Pasi i uroi mirëseardhje ambasadorit të ri italian, Presidentja Osmani theksoi se Republika e Kosovës dhe Italia gëzojnë raporte të shkëlqyeshme dhe se pret që këto raporte të thellohen edhe më tutje.
Italia, sipas presidentes Osmani, ka qenë mbështetëse e vazhdueshme e proceseve politike në Kosovë dhe po vazhdon të na ndihmojë në forcimin e shtetësisë sonë.

“Lidhjet tona të hershme politike dhe kulturore janë shembull i bashkëpunimit. Ne presim që këto lidhje t’i thellojmë edhe më tej, sidomos në bashkëpunimin kulturor dhe arsimimin e të rinjve”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas saj, rritja e shkëmbimeve akademike, e mobilitetit të të rinjve dhe krijimi i urave të bashkëpunimit mes të rinjve tanë, duhet të jenë në qendër të vëmendjes.

Në anën tjetër, ambasador i Antonello De Riu e falënderoi Presidenten Osmani për pritjen e sotme. Ai tha se Italia do të vazhdojë ta përkrahë procesin e integrimit euro-atlantik të Republikës së Kosovës.

Ai po ashtu ka theksuar se do të angazhohet në forcimin e mëtutjeshëm të raporteve bilaterale në mes të dy shteteve, përfshirë këtu edhe bashkëpunimin ekonomik dhe kulturor.