Presidentja Osmani: Po punojmë për të garantuar një Republikë të cilën të gjithë e konsiderojmë shtëpi të përbashkët

Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani – Sadriu, mori pjesë sonte në shënimin e Ditës së Komunitetit Turk në Republikën e Kosovës.
Presidentja Osmani në emër të qytetarëve të Kosovës dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, ua uroi Ditën e Komunitetit Turk në Republikën tonë, si dhe shprehu mirënjohjen e thellë ndaj të gjithë pjesëtarëve të komunitetit turk që jetojnë në Kosovë. 

“Pjesëtarët e komunitetit turk në Kosovë janë pjesë e rëndësishme e vendit tone. Ata janë pjesë aktive e shoqërisë sonë. Sot, ne po punojmë së bashku me të gjithë ju për ndërtimin e jetës së përbashkët në Kosovë. Përfaqësuesit tuaj në institucionet e vendit, qoftë në nivel qendror, nëpërmjet pjesëmarrjes së përfaqësuesve tuaj në Kuvend, përkatësisht në Qeverinë e Republikës, qoftë në atë lokal, kanë dhënë kontribut të theksuar në procesin e shtetndërtimit të Kosovës. Ata po bashkëpunojnë ngushtë me institucionet e vendit, për ta zhvilluar e kultivuar më tej demokracinë në vend, si dhe për të krijuar kushte më të mira jetese për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Presidentja Osmani.

E para e vendit tha se shteti i Kosovës përmes Kushtetutës së saj e ka garantuar të drejtën e të gjitha bashkësive për të zhvilluar identitetin e vet kulturore, gjuhësor e etnik. 

“Ne jemi të përkushtuar që të sigurojmë arsim cilësor për të gjithë fëmijët, që ata ta zhvillojnë identitetin e vet etnik e kulturor, në gjuhën e vet amtare. Po kështu, po kujdesemi që të sigurojmë përfaqësim të denjë në institucionet qendrore dhe lokale të vendit. Por, mbi të gjitha po punojmë për të garantuar një Republikë të cilën të gjithë e konsiderojmë shtëpi të përbashkët e ku të gjithë ndjehemi të barabartë”, ka theksuar Presidentja.

Presidentja Osmani më tej ka shtuar se respektimi i të drejtave të bashkësive etnike, kulturore dhe gjuhësore janë pasuri e shtetit tonë.

Ajo më tej ka thënë se   ne do të vazhdojmë t’i promovojmë edhe më tej vlerat tuaja si pjesë të rëndësishme të mozaikut tonë kulturor, etnik e gjuhësor, ato përbëjnë pasuri të çmuar, të cilën ne duam ta ruajmë e ta promovojmë, ngase është pasuri të cilën e vlerësojmë.  

“Si presidente e të gjithë qytetarëve të Republikës sonë, do të kujdesem që vlerat të cilat ju i përfaqësoni të trajtohen vazhdimisht si pasuri e jona e të kultivohen brez pas brezi. Ju siguroj se institucionet e vendit do të kujdesen që përfaqësimi juaj në të gjitha aspektet të jetë sa më i gjerë, që zëri juaj të dëgjohet çdo herë, dhe që identitetit juaj etnik, kulturor e gjuhësor të ruhet, të kultivohet e të promovohet më tej”, ka thënë Presidentja. 


Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani më tej ka thënë se në këtë ditë të veçantë rikonfirmojmë se institucionet tona do të vazhdojnë po ashtu traditën e marrëdhënieve të mira me shtetin turk, të cilit, i jemi jashtëzakonisht mirënjohës për përkrahjen e vazhdueshme për shtetin e Kosovës.


“Nga ky vend dhe ne këtë ditë të rëndësishme për ju, e ritheksojmë se do të punojmë për ruajtjen dhe promovimin e identitetit të komunitetit turk që jeton në vendin tonë. Mustafa Kemal Ataturk kishte shpallur 23 prillin edhe ditë të fëmijëve. Le të na shërbejë kjo si kujtesë që në çdo vendimin tonin t’i kthejmë sytë kah fëmijët dhe të mendojmë për ndikimin që vendimet tona do të kenë për të ardhmen e tyre”, ka thënë Presidentja.