Presidentja Osmani: Përpjekja këmbëngulëse për zbardhjen e fatit të Ukshin Hotit nuk duhet të pushojë asnjë ditë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar atdhetarin Ukshin Hoti, i cili prej 22 vitesh vazhdon të mbetet në listat e të pagjeturve.

Presidentja Osmani ka thënë se fati i Ukshin Hotit është pengu i shoqërisë dhe shtetit tonë, ndaj përpjekja këmbëngulëse për zbardhjen e fatit të tij nuk duhet të pushojë asnjë ditë.


 


"Me një vepër të bukur politike mund të shpëtohet një popull, thoshte Ukshin Hoti. Ai e nisi idenë e “veprës së bukur politike”, për lirinë, republikën dhe demokracinë, porse synimi i mendimtarit politik e filozofik mbeti në gjysmë", ka thënë Presidentja.


 


Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:


 


Më 16 maj të vitit 1999, atdhetari e mendimtari Ukshin Hoti u lirua nga  Burgu i Dubravës. Që prej asaj dite asgjë për fatin e tij, përpos kujtimit të çdovitshëm dhe rëndimit të ndërgjegjes sonë për mendimtarin politik, i cili prej 22-vjetësh vazhdon të mbetet në listat e të pagjeturve, të cilët janë rrëmbyer dhunshëm nga regjimi gjenocidal serb.


 


Fati i Ukshin Hotit është pengu i shoqërisë dhe shtetit tonë, ndaj përpjekja këmbëngulëse për zbardhjen e fatit të tij nuk duhet të pushojë asnjë ditë.


 


Me një vepër të bukur politike mund të shpëtohet një popull, thoshte Ukshin Hoti. Ai e nisi idenë e “veprës së bukur politike”, për lirinë, republikën dhe demokracinë, porse synimi i mendimtarit politik e filozofik mbeti në gjysmë.


 


Republika e tij është bërë. Dy dekada në kërkim të tij, Republikës i duhet Ukshin Hoti.


 


Çështja e zbardhjes së fatit të të pagjeturve, të cilët u zhdukën dhunshëm nga regjimi serb, është prioritet i yni dhe parakusht për paqe të qëndrueshme në rajon!