Presidentja Osmani mori pjesë në shënimin e aktivitetit "Letër Presidentes"

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani sot ka marrë pjesë në ceremoninë e aktivitetit "Letër Presidentes", me ç’rast, ka pranuar letra të cilat i janë drejtuar nga fëmijë të shumtë anëembanë Kosovës.
"Me të dëgjuar kërkesat dhe dëshirat e shprehura me shkrim nga këta fëmijë, kuptova se hallet e pritshmëritë e tyre janë nga më të ndryshmet dhe se kemi shumë punë për të bërë për t’u siguruar që çdo fëmijë në Kosovë të gëzojë një fëmijëri të lumtur, të shëndoshë e me mirëqenie", ka thënë Presidentja Osmani.

Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:

Sot ishte ditë e veçantë!

Në ceremoninë e aktivitetit "Letër Presidentes", të cilin e organizuam bashkërisht me portalin kulturor "KultPlus", pranova letra të cilat më janë drejtuar nga fëmijë të shumtë anë e mbanë Kosovës.

Me të dëgjuar kërkesat dhe dëshirat e shprehura me shkrim nga këta fëmijë, kuptova se hallet e pritshmëritë e tyre janë nga më të ndryshmet dhe se kemi shumë punë për të bërë për t’u siguruar që çdo fëmijë në Kosovë të gëzojë një fëmijëri të lumtur, të shëndoshë e me mirëqenie.

Faleminderit shumë organizatorëve, e në veçanti fëmijëve të cilët me sinqeritet të plotë treguan se çfarë i gëzon e çfarë i mundon. Më treguan për ëndrrat e tyre, si dhe ambiciet për një të ardhme siç e ëndërrojnë ata!

Siç më kanë shkruar këta fëmijë, do t'i mirëpres çdoherë e çdo ditë letrat edhe nga fëmijët e tjerë të vendit tonë, sepse vetëm kur fëmijëria juaj bëhet më e mirë, po aq më e mirë do jetë e tashmja dhe e ardhmja jonë!