Presidentja Osmani merr ftesë nga Presidenti Biden për Samitin për Demokraci

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë ftesë zyrtare nga Presidenti i ShBA-ve, Joseph Biden për pjesëmarrje në Samitin për Demokraci, i cili do të mbahet më 9-10 dhjetor.
“Falënderoj Presidentin Biden për ftesën në Samitin për Demokraci të organizuar nga Shtëpia e Bardhë si dhe vlerësimin për partneritetin e ofruar nga Kosova për të punuar drejt ndërtimit të shoqërisë demokratike që respekton të drejtat e njeriut, të cilat ia mundësojnë secilit qytetarë ta përmbush potencialin e vet”, ka bërë të ditur Presidentja.  
 
Më tej, Presidentja ka potencuar se ftesa ka ardhur pas takimeve që pati javën e kaluar në Washington.  
 
“Pas takimeve produktive të javës së shkuar në Washington, në të cilat jam njoftuar se Kosova do të jetë pjesë e këtij Samiti, jam e nderuar ta pranoj ftesën nga Presidenti Biden. Republika e Kosovës është shembull i ndritur i përpjekjeve të vazhdueshme për liri e demokraci. Si e tillë është model për rajonin tonë dhe më gjerë. Kosova do ta ndajë përvojën e saj të veçantë në ndërtimin e institucioneve dhe praktikave demokratike, në partneritet të jashtëzakonshëm me miqtë tanë ndërkombëtar – ku rol prijatarë kanë pasur Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka theksuar Presidentja Osmani.
 
Në Samitin e Demokracisë, Presidentja ka theksuar se do t`i prezantoj të arriturat dhe sfidat e Kosovës.
 
“Jam e lumtur që në emër të Republikës së Kosovës do t`i prezantoj të arriturat dhe sfidat që i kemi, si dhe do të angazhohemi bashkërisht që gjatë 12- muajve të ardhshëm ta zbatojmë një plan ambicioz për fuqizimin e mëtejmë të demokracisë sonë të re në mënyrë që qytetarët tanë t`i ndjejnë përfitimet e një udhëheqjeje demokratike të bazuar në sundim të ligjit, të drejta të njeriut dhe gjithëpërfshirje shoqërore”, është shprehur Presidentja Osmani.