Presidentja Osmani kujton Masakrën ndaj familjeve Bogujevci e Duriqi dhe Masakrën e Izbicës: Do të bëjmë çmos që drejtësia të vihet në vend

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar 23-vjetorin e Masakrës ndaj 16 anëtarëve të familjeve Bogujevci, Duriqi, Llugaliu dhe Selman Gashit në Podujevë si dhe Masakrës afro 150 personave në Izbicë të Skënderajt.
“Shtatë fëmijë të moshës 2 deri 15 vjeç dhe shtatë gra të familjeve Bogujevci e Duriqi, 2 anëtarë të familjes Llugaliu dhe Selman Gashi, 23- vjet më parë janë ekzekutuar mizorisht nga forcat e regjimit gjenocidal të Serbisë. Kjo dëshmon qartë strategjinë e organizuar shtetërore të regjimit kriminal serb kundrejt shqiptarëve pa dallim moshe. Këtë e dëshmon më së miri edhe masakra e të njëjtës ditë në Izbicë, ku u ekzekutuan afro 150 djem, burra e pleq. Do të bëjmë çmos që drejtësia të vihet në vend për secilin njeri tonin të vrarë, sepse vetëm kësisoj do t`u dalim hakut vetë atyre, por edhe të mbijetuarve. Atëherë do të ketë kuptim liria dhe pavarësia jonë”, ka theksuar Presidentja Osmani.

Sipas Presidentes Osmani, nga Masakra në Podujevë, janë pesë të mbijetuar.

“Saranda, Fatosi, Jehona, Liria dhe Genc Bogujevci janë dëshmia autentike e krimit monstruoz. Do t`i kujtojmë gjithmonë familjarët e tyre, të vrarët në Izbicë dhe kudo në Kosovë, sepse vetëm duke e memorizuar këtë pjesë të historisë do ta shohim më qartë rrugën që e kemi përpara”, ka theksuar Presidentja Osmani.