Presidentja Osmani: Ju lumtë e bravo që po e ngrisni Republikën tonë drejt majave të Olimpit xhudist

Presidentja e Republikës së Kosovës, dr. Vjosa Osmani – Sadriu, ka thënë se kjo është padyshim një nga fundjavët më shpresëdhënëse që prej shumë kohësh në sport, pasi që ka vlerësuar lartë fitoren e xhudistit Akil Gjakova në Kampionatin Evropian, ku edhe e përfundoi si kampion i Evropës këtë garë.

“Ju po ia dëshmoni gjithë botës se kur ka vullnet, angazhim, përkushtim e talent, nuk ka barriera e as pengesa që nuk tejkalohen, sepse e mira gjithmonë triumfon dhe puna gjithmonë shpërblehet”, ka thënë Presidentja Osmani.

 

Në vijim gjeni të plotë postimin e Presidentes Osmani:

 

 

I artë dhe Akili jonë!

 

Kjo është padyshim një nga fundjavët më shpresëdhënëse që prej shumë kohësh në sport.

E gjithë kjo falë xhudistëve tanë dhe triumfit të tyre të pashoq në Kampionatin Evropian.

Sot, Akil Gjakova e përfundoi si kampion i Evropës këtë garë.

 

Ju po ia dëshmoni gjithë botës se kur ka vullnet, angazhim, përkushtim e talent, nuk ka barriera e as pengesa që nuk tejkalohen, sepse e mira gjithmonë triumfon dhe puna gjithmonë shpërblehet.

 

Xhudistëve tanë, familjeve që i përkrahën, e trajnerëve që i kalitën ata deri në perfeksionizëm- ju lumtë e bravo që po e ngrisni Republikën tonë drejt majave të Olimpit xhudist!