Presidentja Osmani ia dorëzoi “Urdhrin e lirisë” znj. Doris Pack

Presidentja e Kosovës, dr. Vjosa Osmani ia dorëzoi sot znj. Doris Pack “Urdhrin e lirisë”, të cilin ia kishte ndarë presidenti Rugova, më 2004, për kontributin e jashtëzakonshëm të saj për lirinë e Kosovës dhe pavarësinë e saj.

Në takimin e përzemërt të cilin Presidentja Osmani e zhvilloi sot me znj. Pack, e cila shoqërohej edhe nga z. Daniel Braun, udhëheqës i fondacionit “Konrad Adenauer”, Presidentja Osmani e falënderoi znj. Pack për angazhimin e saj të gjatë në njohjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

 

“Roli juaj ka qenë shumë i rëndësishëm në gjithë rrugëtimin tonë. Duke filluar nga fundi i viteve ’80 e këtej ju keni qenë promovuese e madhe e së drejtës sonë për liri. Pas çlirimit të vendit, ju i keni shërbyer njohjes dhe promovimit të shtetësisë së Kosovës”, tha Presidentja Osmani.

 

Po ashtu, znj. Osmani dhe znj. Pack diskutuan për procesin e integrimit të rajonit në Bashkimin Europian, si dhe hapat që po i ndërmerr Kosova për ta përshpejtuar integrimin e saj euroatlantik.

 

Nga ana tjetër, znj. Pack, znj. Pack, anëtare shumëvjecare e Bundestagut gjerman dhe e Parlamentit Europian, si dhe kryetare e Forumit të Gruas të Partive Popullore Europiane (EPP Women), theksoi se i kupton shumë mirë sfidat me të cilat vendi ynë ballafaqohet ende, sfida të kuptueshme për një shtet të ri sikur Kosova.

 

“Për ta njohur mirë Kosovën, secili duhet ta kuptojë të kaluarën e saj”, tha znj. Pack.

 

Ajo shprehu edhe një herë kënaqësinë e saj që ka mundur t’i shërbejë popullit të Kosovës, me të cilin, sikur tha ajo e lidh miqësi e hershme.